7.2 C
Tetovo
E mërkurë, 24 Prill, 2024
BallinaOpinionAKADEMIK ABDULLA MEHMETI / GRUPI I "ZJARRIT" SINONIM I SHPREHJES "BASHKËPUNËTORË TË...

AKADEMIK ABDULLA MEHMETI / GRUPI I “ZJARRIT” SINONIM I SHPREHJES “BASHKËPUNËTORË TË FASHIZMIT”

Mos përdorni fjalë dhe shprehje që nuk ua dini kuptimin dhe simbolikën e përdorimit të tyre!

Përdorimi i kësaj shprehje është një akuzë e rëndë ndaj grupit të politikanëve dhe pushtetarëve që mendojnë ndryshe, por edhe ndaj partisë së tyre, e cila me këtë qasje sipas emërtimit të grupit cilësohet, ndoshta pa dashje, si parti komuniste!

Ditëve të fundit në mediet në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën maqedonase në formë të përkthyer, është përdorur gjerësisht shprehja “Grupi i Zjarrit”, në lidhje me letrën e hapur të një grupi politikanësh dhe funksionarësh shqiptarë, të cilët kanë kërkuar nga drejtuesit e partisë së tyre, Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesë e të cilës janë ata, që të ndërmerren masa për tejkalimin e pakënaqësive brenda partisë dhe mes grupimeve të ndryshme brenda saj.

Me këtë rast nuk kemi qëllim të komentojmë në lidhje me këtë lëvizje politike, që është problem i brendshëm i një partie politike, mes tjerash edhe për faktin se ky nuk është rasti i parë i lëvizjeve të këtilla në jetën politike të shqiptarëve të periudhës së pluralizmit, por e shohim të nevojshme të japim një shpjegim për lexuesit dhe përdoruesit e shprehjes “Grupi i Zjarrit”, nga e ka prejardhjen dhe cila është historia e përdorimit të kësaj shprehje në jetën shoqërore dhe politike të shqiptarëve. Jo të gjithë lexuesit dhe përdoruesit e rrjeteve sociale kanë njohuri për çfarë bëhet fjalë kur e përdorin shprehjen “Grupi i Zjarrit”.

ENCIKLOPEDIA SHQIPTARE

“GRUPI I ZJARRIT

✤ Grup antimarksist që u krijua nga fillimi i vitit 1936 në Athinë nga trockisti Andrea Zisi. Më 1939 Andrea Zisi erdhi në Shqipëri për të sabotuar lëvizjen komuniste dhe antifashiste. Ai formoi në Korçë një «komitet qendror» dhe në Tiranë e në Vlorë nga një «komitet qarkor». Platforma politike e këtij grupi të vetëquajtur «Partia Komuniste Shqiptare” ishte krejtësisht antimarksiste dhe kundërrevolucionare. A. Zisi kishte shpikur një «teori» të re, sipas së cilës kalaja fashiste duhej marrë nga brenda, prandaj komunistët, në vend që të luftonin hapur kundër pushtuesve, duhej të shkriheshin në aparatin e tyre politik dhe administrativ. Këto pikëpamje u përqafuan edhe nga disa oficerë komunistë me nxitjen e Bedri Spahiut.

Pas krijimit të PKSH, Grupi i «Zjarrit» vazhdoi punën e vet armiqësore për të shkatërruar Partinë dhe për të sabotuar Luftën ANÇ. PKSH e luftoi dhe e demaskoi plotësisht këtë grup, i cili në fillim të marsit 1943 u likuidua krejt. Grushti i fundit iu dha atij me artikullin e shokut Enver Hoxha «Pak fjalë për disa shërbëtorë të fashizmit: Grupi i «Zjarrit», botuar në «Zëri i popullit» në janar 1943. Elementët e shëndoshë të këtij grupi braktisën rrugën e gabuar të tij dhe u bashkuan pa kushte me Partinë Komuniste të Shqipërisë.”

(N.F.)

Burime, referenca dhe shënime:

● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)

● Artikulli origjinal – Grupi i Zjarrit

Ky artikull është marrë nga FESH (1985) dhe nuk është korrigjuar nga ideologjia e kohës dhe nga gabimet që mund të kenë dalë gjatë digjitalizimit!

(4 tetor 2022)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments