11.8 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaOpinionABAZ ISLAMI / A kuptoi diçka Shaqir Fetai

ABAZ ISLAMI / A kuptoi diçka Shaqir Fetai

Këto ditë, në disa portale u botua një intervistë e Afrim Tahirit, drejtuesit të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, të cilën, në cilësinë e sekretarit gjeneral të BFI-së ia kishte dhënë të përditshmes “Vest” qysh më vitin 2013! Paraprakisht u tha se intervista do të publikohet enkas për Shaqir Fetain! Çka kuptoi nga ky “gjest provokativ” Shaqir Fetai? Cili ishte mesazhi i ripublikimit të kësaj interviste?

Argumenti i parë, bazuar në deklaratën e ish-reisit, Sulejman ef. Rexhepit: “Në insistimin e largimit të Afrim Tahirit nga BFI-ja më këmbëngultësi dhe më zhurmuesi ishte Shaqir Fetai” dhe, argumenti i dytë, Intervista e Afrim Tahiri, Sekretar gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame, me titull “BASHKËJETESA NUK SIGUROHET VETËM PËRMES REKLAMAVE”, botuar në gazetën “Vest”, 25-26 maj 2013/ faqja 11, 12, 13, – më mjaftojnë që ta plotësoj tërë atë mozaik që do të ma shpjegonte arsyen e dëbimit të Afrim ef. Tahirit nga BFI-ja qysh më 2015, një vit e gjysëm pas përjetimit fjasko të konferencës botërore për dialog ndërkonfesional!

Është fakt i pamohueshëm se, në kohën e Afrim Tahirit, kur ky ishte sekretar gjeneral, punët kanë rrjedhur ashtu siç i ka planifikuar Rijaseti i BFI-së dhe ashtu siç ka qenë më së miri për fenë islame dhe për myslimanët e vendit. Kjo politikë natyrisht nuk ka qenë konformiste por, ka rënë ndesh politikave nacionaliste dhe raciste maqedonase në raport me Bashkësinë Fetare Islame.

Është fakt i pamohueshëm se në atë koh reisul ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, kishte një shtyllë të palëkundër e të papërkulur, Afrim ef. Tahirin, në të cilën ai i mbështeste politikat autonome dhe origjinale të Institucionit që po e drejtonin!

Vetëm Afrim Tahiri ka guxuar që ta minimizojë deri në mohim total një konferencë ndërkombëtare që organizohej nën “ombrelën” e Nikolla Gruevskit, i cili në krye të shërbimit sekret kishte njërin prej “din-dushmanëve” të shqiptarëve dhe, përgjithësisht, të myslimanëve, Sasho Mijallkovin!

Është fakt i pamohueshëm se Afrim Tahiri ua ka bërë me dije si politikanëve nacionalistë maqedonasë ashtu edhe post-enveristëve shqiptarë që po qeverisnin vendin se, nëse nuk plotësohen kërkesat e myslimanëve të vendit artikuluar përmes BFI-së, atëherë vështirë se do të ketë jo harmoni fetare në shtet por, as shtet jo!

Është fakt i pamohueshëm se për herë të parë nga qeveria e Maqedonisë ka ardhur dokumenti se, dekord, pajtohemi të ulemi, të bisedojmë e të caktojmë dinamikën e ndërtimit të Burmali Xhamisë!

Është fakt i pamohueshëm se, për shkak të lojërave të pandershme, për shkak të talljes me marrëveshjet e arritura paraprakisht për rindërtimin e Xhamisë në Prilep si dhe në Llazhec të Manastirit, u bojkotua Konferenca ndërkombëtare për dialog ndërkonfesional, ndërsa Afrim ef. Tahiri do të deklarojë se “të kota janë sponsorimet në mediat botërore (CNN, BBC etj.) për Maqedoninë ndërkonfesionale e ndërnacionale, ndërkohë që parcela shtetërore i falen kishës ndërsa nuk lejohet ndërtimi i xhamisë në pronën tonë për nevojat e myslimanëve të lagjes Lisiçe”!

Zbërthimin e gënjeshtrave dhe të politikave iracionale siç i bënte Afrim Tahiri ndër mediat e vendit, ishin të papërballueshme për pushtetarët që përpiqeshin të ndërtojnë karrierë në dëm të interesave të BFI-së!

Afrim Tahiri përmes kësaj interviste e ka zbërthyer pushtetin si grabitqare të parave të BFI-së, e cila ka paguar për ndërrimin e planit urbanistik, ka investuar në ndërtimin e Xhamisë së Prilepit, ndërsa vetëmsa është grabitur se, punët kurrë nuk kanë nisur në këtë drejtim.

Është Afrim Tahiri, i cili, para syve të Tair Hanit ka shkundulluar Mile Janakievskin, ministrin e Transpoertit dhe Lidhjeve, duke i thënë që t’i bëjë të fala Gruevskit se edhe ai është njeri, i cili, sot është nesër mund të mos jetë në këtë dynja dhe nuk është mirë që e injoron interesin e gjysmës së popullatës së vendit!

Është fakt i pamohueshëm ajo që mediat e vendit kanë folur me gjuhën e shërbimit sekret maqedonas duke konstatuar se Afrim ef. Tahiri është koordinuesi i punëve i të gjitha shërbimeve profesionale në BFI si dhe gardë e pathyeshme në zbatimin e politikave autonome Institucionale të BFI-së! Kërkues këmbëngulës i parcelës për rezidencën e BFI-së në Kala të Shkupit. Ankues i pazbrapsur madje duke ua bërë me dije se do të ankohet si BFI në instancat më të larta gjyqësore ndërkombëtare nëse në afat sa më të shkurtër nuk do të kthehet prona e nacionalizuar e vakëfit të BFI-së.

Ja pra, ja arsyet se pse ndër qarqet e caktuara të pushtetit, në veçanti nga ana e shërbimeve sekrete, është dashur të nisë skenari i largimit të Afrim Tahirit nga BFI-ja! Dhe, sot, prandaj minjt e BFI-së hedhin valle! Sepse u largua Afrim Tahiri, nën presionin e kërkesës së zjarrtë të Shaqir Fetait ushtruar mbi ish-resin që ta largojë sa më parë, sepse, ky ka qenë momenti që e kanë ndjerë “këlyeshët” e Dragoviqëve, që të nisë së brendshmi dobësimi, defaktorizimi dhe shkatërrimi i BFI-së!

Është fakt i pamohueshëm se, në vend të Afrim ef. Tahirit, sekretar gjeneral promovohet Irsal Jakupi, i cili, nisur nga një “bombë” e publikuar, nga ato “bombat e Zaevit”, që në start do të promovojë “politikat” e vjedhjes së haxhit, shkatërrimit të BFI-së!

Të gjithë ata që u rreshtuan në anën e shërbimeve nëntokësore maqedonase për ta larguar Afrim Tahirin dhe, së fundmi, edhe Sulejman ef. Rexhepin, sot i ke të rreshtuar pas Shaqir Fetait, i cili, në çdo ditë të lume që e falë Allahu Fuqiplotë, e shkelë Kushtetutën e BFI-së si dhe aktet e shumta normative të këtij Institucioni. Në një shtet normal, Shaqir Fetai pensionimin e vet do ta priste përtej grilave të burgut. Natyrisht, për shërbëtorë e për bashkëpunëtorë të “shërbimeve speciale” kurrë nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë bug. Të “burgosur” mund të jenë vetëm ata që ia turbullojnë ujin “dërzhavës”!

Po flitet se edhe sivjet do të organizohet konferencë ndërkombëtare për dialog ndërkonfesional dhe se, mezi po pret ftesë Shaqir Fetai, sepse tashmë ka deklaruar se do të jetë një shans i mirë për ta promovuar veten “reis” para “botës”! Ç’paradoks! Dikur Afrim Tahiri organizimet e tilla i shihte si shans i mirë për të kushtëzuar pjesëmarrje me një “koncesion” në të mirë të BFI-së dhe të myslimanëve të vendit, kurse Shaqir Fetai i sheh si shanse të mira për t’u promovuar si “reis”!

Dua këtu të nënvuzoj edhe dy fakte të pamohueshme:

1. Afrim Tahiri ndonëse u dëbua nga BFI-ja, ndonëse kundër tij u zhillua një propagandë institucionale të nxitur, sipas Sulejman ef. Rexhepit, nga Shaqir Fetai, megjithatë efendi Tahiri sot është ndër teologët më të respektuar në vend, më të dashur e më të përshëndetur, madje keqardhje i shprehin edhe armiqtë që dikur ranë nën ndikimin e Shaqir Fetait për ta bindur Sulejman Rexhepin që ta largojë nga BFI-ja!

2. Një ditë të afërt, kur do të dëbohet Shaqir Fetai nga BFI-ja, a do ta gëzojë këtë respekt siç e gëzon Afrim Tahiri! Kurrë! Esat Pashë Toptani ka zhvilluar një luftë të ashpër gjashtëmujore kundër forcave malazeze që ia kanë mësyer pushtimit të Shkodës! Një luftë të tillë nuk e ka bërë askush që nga Skënderbeu e deri te Esat Toptani! Historia ia ka njohur një meritë të tillë deri në momentin kur zbardhen dokumentat se, Esat Pashë Toptani është përkrahur dhe është ndihmuar në karrierë nga mbretnia serbe! Këlyshë të serbëve nuk ke sot në faqet e lavdishme të historisë sonë kombëtare e fetare.

P. S.

Në prag të Muajit të Ramazanit, kur edhe shtohen aktivitetet fetare islame, qeveria me komisionet e veta solli vendim për orë policore që pamundëson kryerje të ibadeteve të shumta në xhami apo në xhemate! Ibadetet t’i caktojnë politikat e Zaevit! Kurse, reagimi i Shaqir Fetait ishte: “ËSHTË E VËRTETË SE NEVE NUK NA ERDHI MIRË KJO, POR JA QË KOMPETENTËT JANË ATA TË CILËT VENDOSIN PËR KËTË ÇËSHTJE DHE NE GJITHMONË DO TË JEMI NË SHËRBIM TË ASAJ QË TË ZUBTET SITUATA, TË DILET NGA KJO SITUATË.”

Shaqir Fetai nuk ka, nuk mund të ketë dhe as që guxon të ketë politika autonome për situata të tilla, porse, pret që t’i diktojnë të tjerët se çfarë të veprojë! Sepse, e di që, në çfarëdo kundërshtimi apo mospërshtatje me politikat sllave, shkon në të sëmës, dëbohet si Afrim Tahiri e Sulejman Rexhepi.

Ishalla nuk i shkon në mend Zoran Zaevit që të urdhërojë mosagjërim. I pari që do t’i përgjigjej këtij urdhëri do të ishte Shaqir Fetai! Sepse, për të më i rëndësishëm është posti i kontrabanduar i “reisllëkut” se sa parimet islame si dhe ineresi i përgjithshëm islam. Ky fakt tashmë është dëshmuar katërcipërisht. BFI-ja me Shaqir Fetain ka po atë peshë të “anijeve antike”-restorant, në Vardar, të cilat, fatmirësisht po demontohen, sepse, rrezikojnë përmbytje! Kështu u tha!

https://www.botasot.info/opinione/1554237/a-kuptoi-dicka-shaqir-fetai/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments