Zvicra planifikon ta kursejë energjinë në këtë mënyrë
Kriza energjetike ka bërë që zviceranët të jenë më kreativë sa i përket kursimit të energjisë. Kështu, shumëllojshmëria e ideve se si të kursehet energjia është pasqyruar në shtypin e së dielës.
Ndër propozimet që po qarkullojnë në këtë drejtim është ai që, në pronat urbane, për shembull, temperatura e dhomës të ulet për 1 deri në 2 gradë. Me përjashtim të shkollave fillore dhe gjimnazeve, uji i nxehtë, sipas kësaj ideje duhet të hiqet tërësisht nga përdorimi, shkruan gazeta “Sonntagszeitung”, transmeton albinfo.ch.
Qytetet gjithashtu duan të japin kontributin e tyre në kursimin e nergjisë, në mënyrë të koordinuar. Për shembull, temperatura e ujit në pishinat e mbuluara mund të ulet. Më pak drita duhet të ndizen gjatë sezonit të Adventit dhe në Krishtlindje (gjatë dhjetorit).
Ndërmarrja Federale e Hekurudhave SBB, nga ana e saj, tashmë ka fikur orën e madhe në selinë e vet në Bernë.
Në këtë kontekst, deputeti i FDP-së në Dhomën e Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës, Damian Müller është shprehur në favor të stimujve për të shpërblyer kursimet vullnetare – si një shtesë e kuotave.