Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, deklaroi se qytetarët e Manastirit po përballen me shqetësim dhe pasiguri për kursimet dhe sigurinë e tyre financiare, pas shpërthimit të skandalit lidhur me Alta Bankën.
Ai tha se qytetarët janë të shqetësuar për paratë e tyre, ndërsa akuzoi pushtetin e udhëhequr nga Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në se ka krijuar këtë situatë.
“Ky është një pushtet që u ka krijuar probleme qytetarëve. Sot Mickoski nuk është në Manastir, por ka shkuar deri në Gjermani. Nuk është as Trajko Sllaveski. Ata krijuan kaos dhe tani, në vend që të mbrojnë qytetarët, po mbrojnë kapitalin kriminal. Ne paralajmëruam që para 11 muajsh se sa e rrezikshme ishte hyrja në Maqedoni e bankës së Vuçiqit, me para dhe kapital kriminal”, deklaroi Dimitrijeviq.
Sipas tij, pasojat më të mëdha po i vuajnë pensionistët, të cilët kanë mbetur pa mundësi për të tërhequr pensionet e tyre, pasi disa filiale të bankës janë mbyllur, ndërsa bankomatët kanë mbetur pa para.
“Shumë bankomate janë bosh, ndërsa para të tjerëve qytetarët presin me orë të tëra. Personat që nuk kanë kartela nuk mund të kenë qasje në paratë e tyre, sepse filialet nuk punojnë. Nëse duam t’i mbrojmë kursimtarët, duhet t’u mundësohet të tërheqin të gjitha kursimet e tyre”, tha ai.
Dimitrijeviq kërkoi që Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të mos i transferojë pensionet në llogaritë e pensionistëve në Alta Bankë, me qëllim të mbrojtjes së tyre.
Ai kërkoi gjithashtu dorëheqjen e Trajko Sllaveskit, hapjen e një hetimi dhe zbardhjen e plotë të rastit, duke kërkuar përgjegjësi edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së theksoi se duhet të përcaktohet përgjegjësia për situatën e krijuar dhe të mbrohen depozitat e qytetarëve.
