Pas sabotimit masiv të bisedave të përgjuara për kreun e BDI-së nëpër rrjetet sociale, dhe mbylljes së profileve të “El Çekas” në Fejsbuk, tashmë “bombat” kanë kaluar në ueb platforma të portaleve të ndryshme. Madje njëri prej portaleve të hapura apostafat për publikimin e “bombave” që sot publikoi dhjetëra biseda, ishte portal i regjistruar në territorin e quajtur Tokelua, në Zelandën e Re.TS
Vazhdimisht po publikohet biseda të reja me tematika të ndryshme, në të cilat kryesisht flasin Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, por së fundmi janë publikuar edhe biseda mes biznesmenit të dyshuar nga PSP Orce Kamçev dhe gazetares shumë vjeçare Olivera Trajkovska e cila duket të merr informacione për rastin “Monstra” pikërisht nga biznesmeni.
Bisedat po publikohen me vazhdimësi, nga disa sekuenca, dhe në intervale të shkurtëra kohore.
Tashmë tre ditë me radhë, profilet e publikuesit të “bombave” nga Kërçova, “El Çeka”, janë mbyllur, dhe nëse provon të kërkohesh në Fejsbuk me fjalë kyçe si bomba, ose biseda, nuk del asgjë që dilte më parë, përveç disa profileve të njerëzve nëpër vende të ndryshme të botës.
Disa ditë me radhë, nëpërmjet profilit në Fejsbuk të “EL Çekës” e tani edhe portaleve, po publikohen biseda të shumta të përgjuara të funksionarëve të lartë të BDI-së. Bisedat thuhet të kenë rrjedhë nga të dënuarit e grupit të Kumanovës të cilët nuk do të ndalojnë derisa të ketë hetim ndërkombëtar dhe BDI të dalë nga Qeveria.
Në 17 vjetorin e Bashkimit Demokratik për Integrim, kryetari Ali Ahmeti, protagonisti i bisedave nëpër internet, tha se partia e tij aspak nuk është e kërcënuar nga këto biseda, që i quajti “bryma e mëngjesit”. Ahmeti komentoi edhe përmbajtjen e bisedave në të cilat kishte sharje për grupe dhe individë që dolën pastaj me reagime publike, duke u arsyetuar se kur ka folur ka qenë duke bërë shaka.TS