www.telegrami.mk
Satirë politike
E paparë! Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarëve nuk u mjafton Kushtetuta, ligjet dhe Kuvendi. Për të mësuar se çfarë të drejtash kanë, duhet të presin edhe interpretimin e maqedonofolësve të ZNAM-it, të cilët, me një kantar politik në dorë, ua peshojnë të drejtat shqiptarëve: një kilogram për VMRO-në, gjysmë kilogrami për ZNAM-in dhe, nëse mbetet ndonjë grimcë, ndoshta edhe për shqiptarët!
Kësaj radhe na doli në skenë Igor Filkov, ish-ministër i Drejtësisë nga radhët e ZNAM-it, sot pjesë e pushtetit VMRO-DPMNE–VLEN. Ai na shpjegon me një siguri prej profesori të së drejtës se provimi i jurisprudencës mund të jepet vetëm në gjuhën maqedonase, sepse, sipas tij, kështu e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Sa mirë! Vetëm edhe një gjë: kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve, maqedonofolësit e pushtetit papritmas shndërrohen në profesorë të Kushtetutës, interpretues të ligjeve dhe kujdestarë të gjuhës shqipe. Nuk lënë asnjë hapësirë që shqiptarët të flasin vetë për të drejtat e tyre.
Dhe këtu fillon komedia politike!
ZNAM-i duket se ka gjetur te VLEN-i partnerin ideal: një bashkëudhëtar karriere, që kur duhet të mbrojë interesin politik të shqiptarëve, e ka të aktivizuar modalitetin e heshtjes. Njëri flet, tjetri hesht; njëri ua mat të drejtat shqiptarëve me kantar, tjetri ua shet heshtjen si pjesëmarrje në pushtet.
Po shqiptarët çfarë thonë? Sipas Kuvendit, Kushtetutës dhe ligjeve, të drejtat nuk janë pronë e asnjë partie maqedonase, as dhuratë e ndonjë ministri dhe aq më pak privilegj që mund të jepet me pikatore nga ZNAM-i.
Në fund të fundit, nëse Filkov mendon se shqiptarët duhet të presin leje nga ZNAM-i për të drejtat e tyre, atëherë le të na tregojë edhe kush ia ka dhënë ZNAM-it mandatin të bëhet kujdestar i shqiptarëve?
Sepse një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë: shqiptarët nuk kanë nevojë për përkthyes maqedonas që t’ua shpjegojnë të drejtat e tyre, por për përfaqësues shqiptarë që dinë dhe guxojnë t’i mbrojnë ato.
E për VLEN-in, ndoshta ka ardhur koha të përgjigjet: a hyri në Qeveri për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, apo vetëm për t’ua numëruar të drejtat që ua lejon ZNAM-i?
www.telegrami.mk
Mesut Shabani

