Ndryshe, me ftesë të Komunës së Tetovës, qytetarët sot morën pjesë në diskutimin për buxhetin e komunës për vitin 2022, i cili nesër do të jetë në rend dite në seancën e katërt dhe të fundit për këtë vit të këshillit komunal. Qytetarët parashtruan kërkesat e tyre dhe propozuan zgjidhje për problemet në qytet dhe më gjerë në komunë, mes të cilave u theksuan çështjet e ambientit, urbanizmi, kaosit në trafik, planet detale urbanistike, borxhi i komunës dhe të tjera.
Me ide dhe propozime të shumta, debati publik zgjati rreth tre orë ku qytetarët parashtruan kërkesat, propozimet dhe pyetjet e tyre për problematika të ndryshme, nga ku kryetari i këshillit komunal, udhëheqësit e sektorëve dhe kryetari i komunës dhanë përgjigje për çështjet e parashtruara.
Në mesin e problemeve të theksuara nga qytetarët ishin: ndërmarrjet publike të sqarojnë përpilimin e buxhetit të tyre, ndërtimi i stacioneve matëse të ajrit, shtegu për këmbësorë në anën e majtë të rrugës rreth Banjës së Tetovës, shfrytëzimi i fondeve evropiane më tepër, krijimi i fushatave edukuese për mbrojtje ndaj ambientit, krijimi i një salle fitnesi te njësia e zjarrfikësve, largimi i mbetjeve nga spitali modular dhe krijimi i një monumenti në nder të viktimave, rregullimi i shtratit të Lumit Shkumbin si dhe trotuaret përreth tij, plani gjeneral urbanistik, planet detale urbanistike, plani detal urbanistik i Kodrës së Diellit, uzurpimi i pronave publike, digjitalizimi i komunës, qentë endacak, taksimi i kazinove me çmime më të larta, investimet kapitale, ndriçimi publik, rruga Veshallë-Brodec, borxhi ndaj komunës, stadiumi, pastrimi rreth stadiumit, përfshirja e personave me aftësi ndryshe, bllokimi i llogarisë së komunës, kontratat e punëtorëve, taksat dhe të tjera.
Propozimet e qytetarëve nuk mund të inkorporohen në propozim-buxhetin i cili do të votohet nesër në këshill, por nga komuna thanë se kërkesat do të merren parasysh kur do të bëhet rebalanci i buxhetit.
Theks i veçantë u theksua te borxhi i komunës, i cili është një pengesë shumë e madhe për komunën, pasi si shkak i kësaj llogaria e komunës momentalisht është e bllokuar nga 435 bllokada nga përmbaruesit, dhe nga kjo paguhen vetëm pagat e punëtorëve.
Nga ana tjetër, siç njoftoi kryetari i komunës, edhe borxhi i qytetarëve i tatimit në pronë është i lartë, gjegjësisht 5 milion euro. Kasami tha se kohëve të fundit ka rritje te interesimit të qytetarëve për të paguar të njëjtin.