Ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Pas takimit me ministren e Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë, Milla Carovska, të dyja ministret iu drejtuan mediave. Nagavci iu drejtua gazetarëve në shqip, por me përkthimin pati telashe.
Nikoqirët e ngjarjes Milla Carovska dhe zv/ministri Arafat Shabani nuk kishin siguruar një përkthyes adekuat shqip-maqedonisht, prandaj ministrja Nagavci u detyrua të flas në anglisht.
Personi që mundohej ta përkthente ministren e Kosovës u vu në siklet, e bashkë me të edhe ministrja Milla Carovska.
Një situatë të tillë pati edhe para katër muajve me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në një forum ekonomik kur përkthyesi interpretonte me vonesa dhe shkurtim të fjalive, me çka kishte reaguar kryeministri Zaev, e më pas edhe vetë Rama.
Ndryshe takimi mes dy homologeve Carovska-Nagavci u zhvillua për të shkëmbyer përvoja dhe për të thelluar bashkëpunimin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në sferën e arsimit dhe shkencës.