Në vend të automjeteve zyrtare me lizing, dy milionë euro duhej të dedikohen për automjete që do të përdoreshin për shpëtimin e jetëve të njerëzve. Prioritet i Qeverisë duhet të jetë furnizimi i ambulancave dhe automjeteve zjarrfikëse, e më pas të mendohet për automjetet zyrtare, shprehen nga Qendra e Komunikime Civile. Sipas kësaj Qendre, viteve të fundit është bërë thirrje vazhdimisht për shpenzimin racional të parave të shtetit, por asnjë qeveri deri tani nuk ka pasur vesh për ndryshimin e mënyrës së furnizimit të automjeteve zyrtare.
“Të përllogaritet nëse atje ku jeta e njerëzve është vënë në pikëpyetje, e ato janë zjarrfikësit dhe ambulancat, nëse atje kemi numër të mjaftueshëm të automjeteve të pajisur, numër të mjaftueshëm të automjeteve të reja moderne, e pastaj në vendin e tretë të mendohet për këto automjete luksoze zyrtare. “Duhet të marrim parasysh nëse numri prej 45 automjeteve të këtilla më luksoze është i domosdoshëm, respektivisht nëse 45 zyrtarë, nëpunës, duhet të ngasin automjete të tilla ose duhet të kufizohen në dy ose tre poste, si kryetar i Kuvendit, president i shtetit dhe kryetar i Qeverisë”- deklaroi German Fillkov – Qendra e komunikime civile.
Në tre vitet e fundit, shteti ka shpenzuar tetë milionë euro për blerjen e automjeteve të reja zyrtare. Nga ana tjetër, vendi ka 220 automjete zjarrfikëse dhe 183 ambulanca. 70% e automjeteve të zjarrfikësve janë të shekullit të kaluar dhe janë të moshës 29 deri në 30 vjeç. Nga furnizimi i fundit i 45 automjeteve të reja luksoze të markës Passat, ato do të përdoren nga ministrat dhe delegacionet e huaja në tre vitet e ardhshme. Pas tre vjetësh, automjetet do të duhet të kthehen në kompaninë e lizingut.alsatm.mk