JANË RIVAKSINUAR 293.139 QYTETARË
Autoritetet e Shëndetësisë në vend njoftojnë se procesi i imunizimit të popullsisë po zhvillohet sipas planit të paraparë. Në nivel vendi deri më tani janë aplikuar, 760.961 vaksina ndërsa janë rivaksinuar 293.139 qytetarë. Ndërkaq Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe theksoi se për t’u arritur imuniteti kolektiv duhet të vaksinohet 80% e popullsisë.
“Duhet të arrihet imuniteti kolektiv prej 80%, ndërsa ne jemi larg kësaj dhe për këtë shkak thirrjet dhe fushatat tona edhe përmes ministrisë, Qeverisë, Zyrës së BE-së, përmes UNICEF janë për vaksinim të qytetarëve. Vaksina është e qasshme në pikat vaksinale dhe askush nga qytetarët që do të paraqitet nuk do të mbesë pa vaksinë”, tha Filipçe.
Ministria e Shëndetësisë sot njoftoi se vaksinën e kanë pranuar 27.5% e qytetarëve. Sipas të dhënave të fundit më së shumti janë vaksinuar qytetarët e Kavadarit, Ohrit dhe Gjevgjelisë, ndërsa më pak ka në Dibër, Tetovë dhe Kërçovë.Ndërkaq, Filipçe tha se vaksinat janë efikase dhe të sigurta dhe se e vetmja mënyrë që të mos qëndrojmë të mbyllur është vaksinimi, për shkak se në këtë mënyrë krijohet imuniteti kolektiv.