Antikorrupsioni do të hapë procedurë lidhur me rastin e “kontrollimit të mediumeve nga zëvendës kryeministri Artan Grubi”, nëse një rast i tillë denoncohet zyrtarisht te ne, paralajmëron kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.
Akuza për kontrollim të mediumeve nga ana e zëvendës kryeministrit të parë, Artan Grubi, erdhi nga deputeti dhe nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Në deklaratën për gazetën Lajm, Ivanovska thotë se pasi të denoncohet zyrtarisht rasti, Antikorrupsioni do ta ftojë edhe zv/kryeministrin Grubi.
“Nëse rasti paraqitet, ne do të fillojmë procedurë dhe kuptohet që do ta ftojmë edhe zëvendës kryeministrin Grubi që të vijë të japë deklaratë. Me të gjithë veprojmë ashtu”, thekson Ivanovska në deklaratën për Lajm, duke ftuar deputetin Izet Mexhiti që të paraqesë zyrtarisht rastin.
“Nuk ka ende ndonjë prononcim. Është rast suptil, duhet të ketë denoncim që të dimë prej ku të fillojmë”, shton Ivanovska.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski, porosit që politikanët të mbajnë duart sa më larg mediumeve.
“Mos ti përziejnë mediumet në qërim hesapesh brendapartiake. Motoja jonë themelore është se politikanët nuk guxojnë të përziejnë duart dhe të kontrollojnë mediume. Kërkojmë që nëse ekzistojnë dëshmi të tilla për kontrollim të mediumeve, ato të bëhen publike”, thekson Çadikovski, duke shtuar se çdo tentim për përzierje të politikës në mediume, është i dëmshëm për demokracinë.