Të shqetësuar për realitetin aktual shumë të rëndë me shëndetin publik në vendin tonë dhe për të nesërmen shëndetësore të qytetarëve tanë, AlternAtivA dëshiron ta ngrejë alarmin për mungesën e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë së Ministrisë së Shëndetësisë, Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe, përgjithësisht, Qeverisë, për menaxhimin e kësaj pandemie, nevojën urgjente të angazhimit të të gjitha resurseve profesionale të sektorëve të ndryshëm për menaxhimin me këtë situatë shëndetësore thellësisht të rënduar dhe domosdoshmërinë e sensibilizimit të qytetarëve tanë për respektimin e masave për mospërhapjen e infeksionit.
Ne gjykojmë se, fatkeqësisht, kjo qeveri, Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nuk i morën në kohë masat e nevojshme për parandalimin e infeksionit me SARS COV2 dhe e neglizhuan nevojën për t’u përgatitur me valën e dytë. Si pasojë e kësaj, vendi ynë sot po përballet me valën e dytë të pandemisë, duke shënuar numër shumë-shumë të madh të të infektuarve, të sëmurëve me COVID-19 dhe të vdekjes së tyre.
Të shqetësuar tejmase për shëndetin e qytetareve tanë, ekonominë dhe problemet sociale të familjeve, Alternativa kërkon që:
– Qeveria të ndalojë me politizimin e pandemisë dhe të hapet për të gjithë që mund të ndihmojnë, në mënyrë që mos dëmtohet edhe më shumë shëndeti i qytetarëve. Në të kundërtën vendi ka nevojë urgjente për një qeveri tjetër dhe
– Qytetarët t’i respektojnë rreptësisht masat për mbrojtjen e shëndetit dhe të kujdesen maksimalisht që mos jenë as viktima të infektimit, por as burim i infektimit.
Me këtë rast AlternAtivA edhe një herë shpreh respektin dhe mbështetjen e saj për gjithë personelin mjekësor dhe teknik, që edhe në kushte shumë të vështira po punon për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve, shpesh duke e rrezikuar edhe shëndetin personal dhe te familjeve te tyre./KlanMacedonia