Rritet numri i viktimave nga cikloni “Janos” që goditi Greqinë. Deri tani, numërohen tre të vdekur. Autoritetet greke gjetën këtë të dielë një 62-vjeçar të pajetë nën rrënojat e shtëpisë së shembur në Kastania, Karditsa.
Ai ishte i zhdukur, por u gjet i vdekur teksa tentohej të nxirrej nga çatia e shembur. Të shtunën u regjistruan dy vdekjet e para nga cikloni, një grua nga Farsala dhe një blegtor në Karditsa.
Nga ana tjetër, vazhdon të mbizotërojë ankthi për gjetjen e një shoferje 43-vjeçare dhe të një bariu. Të dy ata janë të zhdukur. Deri tani, operacionet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur vetëm makinën e 43-vjeçares.