Jemi të gatshëm të pranojmë ankesa nga përfaqësuesit e autorizuar të listave të kandidatëve për deputetë gjatë ditës së sotme ose nesër, por deri në këtë moment nuk ka të shtruar ankesa, tha kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini.
Në pjesëmarrjen e sontme në “Top Tema”, Sejdini shfaqi shpresë se nuk do të vjen deri te ndonjë bllokadë e gjykatës, pasi janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe masat që gjyqi të funksionojë me kapacitetin e saj të plotë.
“Është bërë shorti i këshillave për të vendosur pas zgjedhjeve, ashtu që jemi të bindur që Gjykata Administrative do të arrijë në kohë të realizojë punët e saja ligjore, ndërsa ajo është që të sjell vendime pas ankesave të parashtruara dhe të kemi rezultate zyrtare përfundimtare pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 2020”, tha Sejdini.
Ai përsëriti se po bëhen përpjekje që të organizohen dhe gjykata të veprojë në mënyrë sa më efikase.
“Të gjithë bashkëpunëtorët profesionistë, të gjithë gjykatësit janë në dispozicion, bëjmë simulime adekuate se si të sigurohet ajo që në kohë të vendosim në afat prej 60 orësh pas pranimit të padive”, ka thënë Sejdini.
Jemi të bindur, shtoi ai, se vendit i nevojitet sa më shpejtë të arrijë në rezultatet zyrtare përfundimtare që të mund përfundimisht të funksionojë pushteti legjislativ në vend..
“Në koordinimin e sotëm që kemi pasur me kolegët, kemi dakorduar temp të veprimit veçanërisht në pjesën e debatit publik pasi është e detyrueshme që konform Kodit zgjedhor ajo të shkojë shpejt, me efikasitet që në kohë të arrihet dhe në afat prej 60 orësh të vendoset për ankesat dhe në afat prej dy orësh pas skadimit të atij afati të publikohen vendimet siç imponon Kodi zgjedhor”, tha kreu i Gjykatës Administrative.
Ai theksoi se gjykata vepron sipas çdo standardi, pasi nuk ka sallë për mbajtjen e debateve publike në bazë të Ligjit të ri për konteste administrative.
“Në gjykatë përballemi me probleme të mëdha në kuptimin e asaj që nënkupton kushte të hapësirave …Sinqerisht shpresoj se do të kemi sukses, por prapëseprapë bëhet fjalë për kushte teknike që fatkeqësisht në gjykatë përgjithësisht nuk i kemi”, tha mes tjerash, Sejdini.