0.4 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeVetëvendosje vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin ‘Duam zgjedhje’

Vetëvendosje vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin ‘Duam zgjedhje’

Lëvizja Vetëvendosje është duke vazhduar mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve për peticionin “Duam zgjedhje”, për ta proceduar më pas në Kuvendin e Kosovës.

Një muaj pas nisjes së këtij procesi janë grumbulluar rreth 250 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i LVV-së Përparim Kryeziu.

“Peticioni me kërkesën ‘Duam Zgjedhje’, një muaj pas, ka rreth 250 mijë nënshkrime të qytetarëve. Nëshkrimet e reja çdo ditë po regjistrohen, derisa interesimi i qytetarëve për t’iu bashkangjitur thirrjes për zgjedhje ka qenë i paluhatshëm.  Ky peticion tanimë është më i madhi që nga paslufta. Duke qenë kështu, është treguesi i qartë i mobilizimit të vullnetit të qytatetarëve rreth një kërkese demokratike sikurse janë zgjedhjet, prej nga buron e legjitimohet demokracia”, ka thënë ai.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi lidhur me dekretin e tij përmes së cilit mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për ta formuar qeverinë, partia e ish-kryeministrit Albin Kurtit (LVV), po insiston në kërkesën për zgjedhje të reja parlamentare.

Ndërkaq, Kryeziu tutje  ka shtuar se nënshkrimet e grumbulluar deri tani janë në kuadër të peticionit online dhe pikave grumbulluese ose tendave të vendosura në sheshet e komunave të Kosovës.

“Së fundmi, peticioni ka hyrë në një fazë të re më dinamike. Me këtë rast  grumbullimi i nënshkrimeve do të bëhet nëpërmjet ekipeve mobile në terren të cilat do të jenë prezente në secilin fshat e në secilën lagje, për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi objektive  për ta nënshkruar peticionin”, ka theksuar ai.

Zëdhënësi i LVV-së thotë se për shkak të interesimit të qytetarëve, peticioni po vazhdon.

“Peticioni po vazhdon, për shkak se interesimi për të nënshkruar atë po vazhdon.  Ashtu siç parashihet me procedurat pas mbledhjes së nënshkrimeve, ne do ta procedojmë peticionin në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Qeveria LVV-LDK me kryeministër Albin Kurtin u formua më 3 shkurt, për tu rrëzuar më pas në Kuvendin e Kosovës nga një mocion mosbesimi i inicuar nga LDK-ja, më 25 mars.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments