Në Republikën e Maqedonisë Veriore, Qeveria dhe as partitë politike nuk duhet të rrëmbehen nga euforia politike e zgjedhjeve për kryetar shteti; as qytetarët t’i mashtrojnë me propagandë të tejdukshme për zbatimin e reformave dhe mbajtjen e shpresës për të ardhme më të mirë të qytetarëve të këtij shteti.
Qeveria dhe sidomos partitë politike, në vend të shtabeve zgjedhore urgjentisht duhet të hapin shtabe të emergjencës për ndalimin e shpërnguljes në masë të qytetarëve në botën e jashtme.
Jo vetëm me fushatës zgjedhore, por edhe përmes propagandës së medieve dhe në forma të tjera, të detyrimit eventual të administratorëve, shantazhimit të votuesve, blerjes së votave apo mbushjes së kutive të votimit, nuk do të arrijnë ta sigurojnë numrin e mjaftueshëm të votave për censusin e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit të Maqedonisë Veriore.
Shkaktarë kryesorë për dështimin e mundshëm të zgjedhjeve presidenciale të ardhshme në Maqedoninë Veriore janë:
1. Lista e përgjithshme e votuesve, e fryrë me votues fiktivë, dhe rregullativa ligjore e papërshtatshme për zgjedhje të lira dhe demokratike;
2. Humbja e skajshme e besimit të qytetarëve (votuesve) ndaj partive politike, pjesëmarrëse në zgjedhje;
3. Numri i madh i qytetarëve të shpërngulur në botën e jashtme, sidomos gjatë viteve të fundit.
Këto dhe shkaqe të tjera do të ndikojnë negativisht në arritjen e suksesit të pritur në zgjedhet e ardhshme presidenciale, që njëherit përbën pengesë serioze edhe në proceset zhvillimore dhe progresin e Maqedonisë Veriore në të ardhmen.
(29 mars 2019)