Të dielën Serbia mbajti zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat për herë të parë pesë parti shqiptare kanë garuar në një listë të vetme.
Sipas rezultateve preliminare, kjo listë pritet të fitojë 4 ulëse në Parlamentin serb.
Por, gjithë kësaj duket se i ka prirë ministri të Jashtëm në detyrë të Shqipërisë Gent Cakaj.
Javë më parë ai ishte takuar me drejtuesit e partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, ku kishte inkurajuar të garonin me një listë të vetme në zgjedhjet në Serbi.
“Ishte nder për të lehtësuar marrëveshjen midis liderëve politikë të Luginës së Preshevë. Ata sot vendosën të krijojnë një listë të unifikuar zgjedhore dhe kështu të iu mundësojnë votuesve tyre të kenë një zë të fuqishëm – dhe të votojnë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Cakaj
Cakaj ka reaguar pas konfirmimit se shqiptarët do të përfaqësohen me katër deputetë, ku shkurt ka shkruar në Facebook “Të Dua Luginë”.
Duhet kujtuar se në zgjedhjet e vitit 2016 pothuajse të gjitha partitë e pakicës shqiptare në Serbi, nuk morën pjesë në garën zgjedhore për shkak të siç kishin deklaruar, pakënaqësisë për qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve në Serbi.
Sidoqoftë, bojkoti nuk ishte i plotë, kështu që Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit mori pjesë në zgjedhje. Midis 250 deputetëve të parlamentit serb, Fatmir Hasani u zgjodh si përfaqësuesi i vetëm shqiptar.
Në zgjedhjet e fundit për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, një organ që përfaqëson interesat e pakicës kombëtare shqiptare në Serbi, morën pjesë gjashtë lista zgjedhore. Zgjedhjet u mbajtën më 4 nëntor të vitit 2018 dhe Ragmi Mustafa, u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar, përcjell Telegrafi.