Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur ta shkarkojë Vjosa Osmanin nga postet e saj në këtë parti. Osmani ishte pjesë e anëtarësisë së kryesisë së LDK-së dhe nënkryetare e saj, megjithatë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, vendosi të shkarkojë Osmanin nga këto pozita.
Menjëherë pasi LDK-ja njoftoi për shkarkimin e Osmanit, kjo e fundit reagoi përmes një shkrimi në Facebook. Osmani falënderoi 53 anëtarët që nuk votuan pro shkarkimit të saj, ndërsa për pjesën tjetër të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ajo u tha shihemi në garën zgjedhore së shpejti.
“I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve”, shkroi Osmani.
“Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, shkroi ajo
Osmani u shkarkua me 70 vota pro nga 95 sa kishin votuar në Këshillin e Përgjithshëm. 16 ishin shprehur kundër e nëntë kishin abstenuar. 28 nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në votim.
Propozimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga këto poste erdhi nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë me arsyetimin se Osmani doli kundër qëndrimeve të partisë, duke mos votuar qeverinë e kryeministrit aktual, Avdullah Hotit.
Postin e nënkryetarit të LDK-së, pas shkarkimit të Osmanit e zuri Hoti. Kujtojmë se edhe më parë Osmani kishte dalë kundër qëndrimeve të LDK-së. Osmani për një kohë kishte prishur raportet me Isa Mustafën kur nuk e kishte votuar për Kryeministër në dhjetor të vitit 2014.
Mirëpo, Osmani ishte pajtuar me Mustafën dhe kishte përkrahur Avdullah Hotin për Kryeministër në zgjedhjet e 2017-ës, kur LDK dështoi, po ashtu, të dalë e para.
Osmani përfundimisht ishte pajtuar me Kryetarin e LDK-së në zgjedhjet e fundit partiake kur Mustafa e pranoi për Nënkryetare dhe kërkoi votat e partisë për ta bërë edhe Shefe të Qeverisë.