Lakorja e infeksioneve të reja në Zvicër po zbutet: pas mesatarisht mbi 1000 rasteve të reja në ditë që shënoheshin në javët e fundit, të martën pati vetëm 590 infeksione të reja, shkruan srf.ch. Por, sipas Daniel Koch nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), është ende shumë herët për të nxjerrë një përfundim të qartë, transmeton albinfo.ch. Problemi është ende larg nga zgjidhja, edhepse shifrat e fundit japin shkas për të shpresuar.
Me 590 raste të reja, numri i infeksioneve të zbuluara Covid-19 ka arritur në 22.224 raste. Dje, e hënë kishte pasur 552 raste të reja.
Sipas kantoneve, 785 njerëz kanë vdekur nga Covid 19 deri të martën pasdite, përcjell albinfo.ch. Bëhet fjalë për 39 vdekje më shumë se 24 orë më parë, sipas një numërimi nga agjensia e lajmeve Keystone-SDA, bazuar në shifrat zyrtare të kantoneve të veçanta.
Në raportin e saj ditor për të martën në mëngjes, Zyra Federale e Shëndetit Publik kishte raportuar 641 vdekje. Ndërsa platforma worldometers.info jep shifrën prej 811 të vdekurve në Zvicër.
62 për qind e tyre ishin burra dhe 38 për qind ishin gra. Gjysma e tyre ishin mbi 83 vjeç, dhe 98 për qind kishin të paktën një sëmundje paraprake, transmeton albinfo.ch. Këtu hyn veçanërisht shtypja e lartë e gjakut (66 për qind), sëmundjet kardiovaskulare (56 për qind) dhe diabeti (28 për qind).
Daniel Koch lidhur me zbutjen eventuale të masave mbrojtëse kundër koronavirusit thotë: “Masat dhe mbi të gjitha zbatimi, sjellja e popullatës zvicerane, me siguri kanë siguruar që numri i rasteve të mos rritet më në mënyrë eksponenciale, përcjell albinfo.ch. Dhe sigurisht që kjo ka bërë të kemi sukses deri më tani në ruajtjen e sistemit shëndetësor.
Popullsia zvicerane deri tani e ka zotëruar këtë krizë relativisht mirë. Tani kërkohet të qëndrojmë deri në fund. Ne jemi maksimalisht ende vetëm në gjysmën e rrugës”.albinfo.ch