4.6 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaOpinionAbdulla Mehmeti / Rendi i ri botëror dhe lirimi i njerëzimit nga...

Abdulla Mehmeti / Rendi i ri botëror dhe lirimi i njerëzimit nga kthetrat e krimit

Me rendin e ri botërore të shfaqur në horizont synohet fundi i robërisë fizike, materiale dhe mendore të njerëzimit. Ky është proces i pashmangshëm që i është imponuar njerëzimit në botën e sotme, pas rënies përtoke të mirëqenies dhe vlerave të tij, si dhe nga rreziku i shkatërrimit të planetit.

Përderisa botën sot e udhëheqin njerëz me biografi të dyshimta, personalitete me deformime të theksuara morale dhe shpirtërore, me vese dhe prirje johumane, egoistë, psikopatë dhe kriminelë me dosje të trasha kundër çdo vlere njerëzore, nxitës të luftërave, kreatorë të fatkeqësive globale, materialistë, sundues dhe shfrytëzues të paskrupullt, shkatërrues të natyrës dhe vrasës të qenieve njerëzore, për interesa idiote të një grushti oligarkësh që udhëheqin shtete të fuqishme, organizata ndërkombëtare dhe korporata industriale fitimprurëse me rrjete të fuqishme ndërkombëtare, pse duhet të besojmë se në pushtetet e shteteve të vogla e të pazhvilluara, të kontrolluara kryesisht nga oligarkia politike, ekonomike, industriale dhe financiare e botës, mund të përkrahin dhe sjellin në pushtet njerëz të ndershëm, dijetarë dhe politikanë me prirje humane, sidomos me përkushtim për interesa kombëtare?!

Oligarkët e mëdhenj të botës, të shteteve të fuqishme, institucioneve dhe korporatave ndërkombëtare, parapëlqejnë, ndihmojnë, përkrahin, instalojnë dhe mbajnë në pushtet njerëz me të njëjtat antivlera si vetja e tyre, servilë dhe mercenarë, që përmes këtij zinxhiri të bashkëpunimit t’i kontrollojnë më lehtë popujt dhe shtetet, politikat, ekonomitë dhe resurset e vendeve të ndryshme, të funksionojnë si një organizëm i vetëm global, ndërsa përmes këtyre lidhjeve dhe varshmërisë t’i mbërthejnë njerëzit përmes mashtrimit dhe propagandës në prangat e nënshtrimit, sundit dhe shfrytëzimit të tyre, për mbajtjen e njerëzimit në ankth të përhershëm mendor dhe robëri materiale.

Koha e re imponon një qasje ndryshe ndaj këtyre fenomeneve dhe tendencave shkatërruese ndaj qenies njerëzore, familjes, shoqërisë, popujve, shteteve dhe vlerave të civilizimit. Është koha e njerëzve vizionarë, e popujve kryengritës dhe shoqërive me prirje për ndryshime radikale të këtij sistemi johuman dhe shkatërrues i qenies njerëzore dhe vlerave të njerëzimit.

Epidemia aktuale e koronavirusit covid-19 dhe përballja e njerëzimit me këtë fatkeqësi të imponuar është vetëm një shkas për reflektim dhe rizgjim, për kthimin e njeriut nga vetvetja, natyra dhe begatitë e saj, për mbrohen e këtyre vlerave të vetme që e sigurojnë vazhdimësinë e jetës mbi tokë.

Hulumtoni dhe gjurmoni në biografitë, të njohura dhe të panjohura, të politikanëve dhe drejtuesve të pushtetit, të bizneseve dhe mediave më të fuqishme në shtetet e rajonit, që të bindeni se kush udhëheq dhe vendos për fatin e njerëzve dhe të popujve në këtë shtete. Do të tmerroheni, padyshim!

Të gjithë kriminelët e botës janë bashkë, kurse njerëzit tjerë janë viktima nën kthetrat e kësaj mafie globale dhe bande kriminale.

Reflektoni dhe veproni, për fatin dhe jetën tuaj, për të ardhmen dhe mbrojtjen e vlerave të njerëzimit, për shpëtimin e botës nga krimi, që çon në kaos dhe katastrofë globale të pashmangshme.

(3 prill 2020)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments