Mediat kosovare raportojnë se Kurti nëpërmjet deputetets së tij Arbërie Nagavci ka refuzuar ftesën e Presidentit për takim konsultativ ditën e nesërme për krijimin e qeverisë së re pas rrëzimit të asaj aktuale.
Këtë e ka bërë të ditur deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se presidenti Thaçi duhet të respektojë Kushtetutën dhe bazuar në nenin 82 të saj të shpërndajë Kuvendin.
Nagavci ka thënë se për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin, Qeveria në detyrë duhet të vazhdojë punën në menaxhimin e kësaj situate, ndërsa presidenti Thaçi kurdo që krijohen kushtet, duhet të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Tani nuk është koha e takimeve, është koha që të jemi maksimalisht të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Qeverisë në detyrë dhe ekspertëve shëndetësore. Kjo do të thotë se presidenti duhet të respektojë Kushtetutën, më saktësisht nenin 82 që në rastet e tilla duhet të shpërndahet Kuvendi. Në këto ditë është e rëndësishme që qeveria në detyrë të vazhdojë me menaxhimin e situatës me pandeminë dhe presidenti kurdo që të krijohen kushtet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë Nagavci.
Kujtojmë se Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është i ftuari i parë i Presidentit të Kosovës, në kuadër të procesit të konsultimeve me partitë politike. Presidenti Thaçi i ka bërë ftesë Kurtit, si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit për konsultime në Presidencë të mërkurën më 1 prill.Transmeton
BalkanWeb, përcjell Telegrami