BallinaLajmeShqipja nuk është dhuratë e VLEN-it, as premtim i BDI-së – është...

Shqipja nuk është dhuratë e VLEN-it, as premtim i BDI-së – është e drejtë që duhet të garantohet me ligj!

www.telegrami.mk

Krahasimi politik si iluzion optik në sytë e opinionit

Nga përkthimi i 600 provimeve te propaganda për 100 për qind shqip: kush po e zbaton ligjin dhe kush po e përdor gjuhën shqipe për pikë politike?

Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami dolën para opinionit për të shpallur një arritje të re: 600 provime të përkthyera në gjuhën shqipe, provime për revizorë, agjentë sigurimesh, edukatorë dhe profesionistë të tjerë që tashmë mund të zhvillohen edhe në shqip.

Pa dyshim, mundësia që shqiptarët t’i japin provimet profesionale në gjuhën e tyre është e mirëseardhur. Por, para se ta shpallim këtë si ndonjë revolucion historik, duhet të sqarojmë një dallim themelor: përkthimi i provimeve nuk është domosdoshmërisht e njëjta gjë me zbatimin e plotë të së drejtës për zhvillimin e tyre në gjuhën shqipe.

Dhe këtu fillon problemi politik.

BDI thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve ekziston, se e drejta është e garantuar dhe se institucionet kanë obligim ta zbatojnë. VLEN, ndërkaq, del me konferenca shtypi dhe na prezanton përkthimin e 600 provimeve si dëshmi të një arritjeje të re politike.

Atëherë, kush ka të drejtë?

Nëse BDI ka të drejtë se ligji e garanton këtë mundësi, atëherë VLEN nuk po u bën ndonjë dhuratë shqiptarëve. Po zbaton një detyrim ligjor. Por nëse VLEN pretendon se për këtë është dashur një punë e jashtëzakonshme politike, atëherë le të shpjegojë pse kjo e drejtë nuk u garantua më herët dhe cilat pengesa ligjore apo institucionale janë kapërcyer tani.

Edhe BDI nuk mund të dalë krejt e pastër nga kjo histori. Për më shumë se dy dekada në pushtet, kishte mundësi të kërkonte zbatimin e plotë të ligjit. Nëse sot e njëjta e drejtë po prezantohet si risi, atëherë edhe BDI duhet të japë llogari pse shqiptarët kanë pritur kaq gjatë.

Por ka edhe një çështje më serioze: provimi i jurisprudencës.

Pse për disa provime profesionale mund të gjendet zgjidhje për gjuhën shqipe, ndërsa për provimin e jurisprudencës ende kërkohet një model i veçantë ligjor? A është ligji i njëjtë për të gjitha institucionet apo interpretohet sipas interesave të pushtetit?

Nëse zgjidhja për jurisprudencën nënkupton që kandidati të ketë vetëm një pjesë të provimit në shqip, ndërsa pjesën tjetër në maqedonisht, atëherë kemi të drejtë të pyesim: a është kjo barazi gjuhësore apo një barazi me kushte?

Shqiptarët nuk kërkojnë privilegj, por as nuk duhet të kënaqen me gjysmëzgjidhje të paketuara si fitore historike.

Gjuha shqipe nuk është pronë e BDI-së, VLEN-it, Mexhitit apo Kasamit. Nuk është as kapital elektoral që njëra palë e trashëgon nga tjetra. Është e drejtë e qytetarëve dhe detyrim i institucioneve.

Prandaj, në vend të garës se kush i përktheu më shumë provime dhe kush e tha i pari fjalën 100 për qind shqip, le të na tregojnë diçka më konkrete: A po zbatohet ligji në tërësi, apo po krijohen zgjidhje të pjesshme për t’i shitur si fitore politike?

Sepse ligji nuk është menu restoranti, ku pushteti zgjedh çfarë t’i shërbejë qytetarit dhe çfarë ta lërë për një herë tjetër.

Dhe një e drejtë që duhet të zbatohet nuk është sukses i atij që e shpall në konferencë shtypi, por dështim i institucioneve që nuk e kanë zbatuar me kohë.

Debati për provimin e jurisprudencës është veçanërisht i rëndësishëm, sepse është diskutuar edhe një projektndryshim ligjor që parashikon pyetjet e përkthyera, por pjesën me shkrim në maqedonisht. Kjo është pikërisht arsyeja pse duhet kërkuar qartësi, jo vetëm deklarata politike.

Ky tekst e kritikon VLEN-in për propagandën politike, por njëkohësisht nuk ia fal BDI-së dy dekadat e mosrealizimit. …www.telegrami.mk

P.S. Një sqarim për VLEN

Përkthimi në shqip“ dhe „provimi në shqip“

Këto dy shprehje nuk kanë të njëjtin kuptim:

1. Përkthimi në shqip – nënkupton bartjen e një teksti nga një gjuhë tjetër në gjuhën shqipe. Për shembull, përkthimi i një lajmi nga maqedonishtja në shqip.

2. Provimi në shqip – nënkupton dhënien e një provimi në gjuhën shqipe, pra testimin e njohurive përmes shqipes.

Pra, nuk janë sinonime dhe nuk përdoren në të njëjtin kontekst.

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments