“Do të vijë dita kur do të turpërohen për atë që po u bëjnë sot qytetarëve dhe Maqedonisë”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sulmeve të vazhdueshme të opozitës, e cila e akuzon pushtetin se po e pengon procesin e integrimit evropian të vendit.
Ai tha se përpiqet të mos e komentojë opozitën, pasi, sipas tij, udhëheqësia e saj nuk merret me politikë shtetërore, por me sulme personale ndaj tij.
“Nuk dua ta komentoj këtë mënyrë të papjekur të sjelljes së udhëheqjes së opozitës. Dhe do ta ruaj këtë të drejtë për të mos e komentuar. Ja, do të përpiqem ta them me një fjali: do të vijë dita kur do të turpërohen për atë që po u bëjnë sot edhe qytetarëve, edhe Maqedonisë”, tha Mickoski.
Duke komentuar paralajmërimin e opozitës se do të dorëzojë një propozimligj për vettingun e funksionarëve, të mëparshëm dhe aktualë, Mickoski tha se nuk ka nevojë të pritet miratimi i një ligji të tillë, pasi edhe tani ekzistojnë institucione dhe mekanizma përmes të cilëve mund të bëhen kontrolle.
“Le të ketë propozimligj, askush nuk e kundërshton këtë. Por edhe tani Administrata e të Hyrave Publike mund të bëjë vetting dhe të kryejë kontrolle. Edhe tani kanë mekanizma për të kontrolluar se si sigurohen ‘vizat e arta’ në destinacione ekzotike si Dubai, sa duhet të investoni për të marrë një vizë të tillë, si shijohen jahtet e shtrenjta në bregdetin e Egjeut e kështu me radhë.
Administrata e të Hyrave Publike edhe tani mund të kontrollojë se si politikanët drejtojnë automjete të shtrenjta, në pronësi të kompanive që kanë fituar tenderë për qymyr, si dhe se si paratë transferohen në kompani në Bullgari e kështu me radhë.
Mendoj se mund të vazhdoj të rendis shembuj. Ja, le të jetë kjo një fillim i këtij procesi të vettingut. Këtë mund ta bëjë Administrata e të Hyrave Publike menjëherë, tani. Nuk ka nevojë të presë.
Madje mund të shkohet edhe në poligraf, dhe aty secili prej politikanëve të tregojë sa ka vjedhur, si ka vjedhur – nga ata të opozitës, natyrisht”, tha Mickoski.
