BallinaLajme“Ekipi prej 11 vetash” i Izet Mexhitit zbret në Bërvenicë (Pollog)– por...

“Ekipi prej 11 vetash” i Izet Mexhitit zbret në Bërvenicë (Pollog)– por kush do ta sjellë golin…(Mickoski apo Filipçe)?

www.telegrami.mk

satirë politike

Në Bërvenicë sonte nuk u prezantua vetëm një kandidat për kryetar komune. U prezantua edhe një “ekip futbolli” politik prej 11 vetash, sipas formulimit të bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti.

Me një fjalim të mbushur me “bashkëpunim”, “rezultate konkrete” dhe mbështetje nga qeveria qendrore, Mexhiti kërkoi që Jakup Huseini të mos lejohet të shndërrohet në “trampolinë të opozitës, për llafe e kritika”.

Por këtu lind pyetja më e thjeshtë: nëse janë 11 veta në ekip, ku janë rezultatet?

Sepse qytetarët e Bërvenicës nuk votojnë për një ekip që vetëm pozicionohet në fushë. Ata votojnë për rrugë, ujësjellës, kanalizim, investime, shërbime komunale, zhvillim dhe zgjidhje konkrete.

Mexhiti premtoi se Jakupi do ta ketë pas vetes zv/kryeministrin, ministra, zëvendësministra dhe kryetarë komunash. Pra, sipas kësaj logjike, Bërvenica nuk do të ketë vetëm një kryetar komune, por një “superligë” të tërë politike.

Problemi është se qytetari nuk ha formacionin 4-4-3. Qytetari kërkon punë.

Dhe kur një pushtet ka kaq shumë njerëz në dispozicion, atëherë justifikimi “nuk na lanë të punojmë” bëhet edhe më i vështirë për t’u shitur.

Mexhiti tha edhe një fjali që ndoshta do të mbetet si slogani më interesant i kësaj konvente: “Na duhet të jemi servil ndaj qytetarëve, servil ndaj shqiptarit.”

Mirë. Le ta marrim seriozisht këtë premtim.

Por qytetarët nuk kërkojnë politikanë servilë në fjalime. Kërkojnë politikanë që të jenë në shërbim të tyre me vepra. Sepse servilizmi politik në podium nuk ndërton as rrugë, as kanalizim, as zhvillim ekonomik.

Në fund të fundit, Bërvenica nuk është fushë futbolli ku rëndësi ka vetëm numri i lojtarëve. Është komunë ku qytetarët do të matin rezultatin në fund të mandatit.

Prandaj, zoti Mexhiti, 11 lojtarë janë shumë mirë për një ndeshje. Por qytetarët duan të shohin gola, jo vetëm formacionin.

Dhe më e rëndësishmja: nëse ekipi është kaq i madh dhe kaq i fuqishëm, atëherë pas zgjedhjeve nuk do të ketë më arsye për të humbur ndeshjen me arsyetimin se “nuk patëm mbështetje”.

Bërvenica tani e ka topin në fushë. Mbetet të shihet nëse “ekipi prej 11 vetash” do të shënojë gola për qytetarët, apo do të mjaftohet duke bërë foto me fanellat e pushtetit...www.telegrami.mk

lajmi që komentohet me satirë ,vetëm lajm nuk është…

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments