Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me marshin e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe barazimin që bëri sot të viktimave, duke përmendur shqiptarët, serbët, romët…
Ademi tha se, derisa mbi 100 mijë shqiptarë marshuan të shtunën në Prishtinë duke kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët, një ditë më vonë ministri Shasivari, zgjodhi ta barazonte viktimën me agresorin.Dje, mbi 100 mijë shqiptarë në Prishtinë kërkuan drejtësi për çlirimtarët: Liri! Sot, një palo-ministër i Drejtësisë, që i thotë vetes shqiptar, barazon viktimën me agresorin”, deklaroi Ademi. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së iu drejtua Shasivarit me fjalët “Gospodine Shasivari”, duke e akuzuar se po mban leksione për Kosovën nën ndikimin e profesoreshës universitare Tanja Karakamisheva.
“Gospodine Shasivari, Kosova i ka plagët ende të hapura. Nuk ka nevojë për leksionet tua, aq më pak kur t’i dikton Karakamisheva, tutorja jote politike”, theksoi Ademi. Ai shtoi se Kosova e njeh qartë historinë e saj dhe nuk mund të lejojë relativizimin e luftës çlirimtare dhe të krimeve të kryera gjatë luftës.Kosova e di kush vrau dhe kush u vra. Kush pushtoi dhe kush luftoi për liri”, shkroi Ademi. Sipas tij, Shasivari kundërshton marshin në mbështetje të UÇK-së, ndërsa hesht përballë partnerëve të tij qeveritarë që, siç pretendon Ademi, glorifikojnë kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq.
“Shasivari bërtet kundër marshit të UÇK-së, ndërsa hesht ndaj kolegëve që i ka në Qeveri, të cilët glorifikojnë Mlladiqin. Edhe unë po ia jap një porosi: Jeton, këtë mesazh kthejua autorëve të tij, Serbisë! Turp duhet të kesh!”, përfundoi Ademi.
Jeton Shasivari me mesazh për Kosovën: Më 16 shtator do të flasë gjykata, jo politika apo emocionet
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka bërë thirrje që vendimi i 16 shtatorit të respektohet dhe që procesi gjyqësor të zhvillohet pa presion politik, duke theksuar se për faktet dhe përgjegjësinë mund të vendosë vetëm gjykata.
“Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata.
Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët e kanë të drejtën e ankesës.
Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari.
Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë.
Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi.
Si Ministër i Drejtësisë, besoj se përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin.
Institucionet e Kosovës duhet ta përballojnë këtë moment me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore.
Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë.
Prandaj, mesazhi im institucional për Kosovën është i thjeshtë:
Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve.
Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi.
Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij.
Ky është standardi evropian”, ka shkruar Shasivari
