Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në Tetovë zhvilloi takim me rektorin dhe drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, pas së cilës vizitoi edhe Sektorin e Punëve të Brendshme Tetovë, ku me drejtuesit diskutoi për gjendjen aktuale të sigurisë, sfidat dhe rezultatet e punës.
Në takimin me drejtuesit e Universitetit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me theks të veçantë në krijimin e mundësive që studentët më të mirë nga programet studimore për të cilat MPB-ja ka nevojë, pas përfundimit të studimeve, ta vënë dijen dhe kapacitetet e tyre në funksion të institucioneve dhe sigurisë së qytetarëve.
Gjatë vizitës në SPB Tetovë u konstatua se gjendja e sigurisë është stabile, ndërsa si veçanërisht të rëndësishme u veçuan rezultatet në fushën e sigurisë në komunikacion.
Tetova është një nga qytetet ku tashmë zbatohet sistemi “Qyteti i Sigurt”, ndërsa sipas të dhënave për tetë muajt e parë të këtij viti, në territorin e SPB Tetovë në aksidente trafiku kanë humbur jetën tre persona, kundrejt nëntë personave në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Është ulur edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve në komunikacion.
“Këto janë rezultate që flasin më së miri për përfitimet nga sistemi. Kur flasim për ‘Qytetin e Sigurt’, nuk flasim vetëm për sanksionimin e kundërvajtjeve, por mbi të gjitha për ndryshimin e shprehive në komunikacion, rrugë më të sigurta dhe shpëtimin e jetëve njerëzore”,
theksoi ministri Toshkovski.
Ai paralajmëroi se pas disa ditësh sistemi “Qyteti i Sigurt” do të fillojë të zbatohet edhe në territorin e SPB Veles, ndërsa më pas gradualisht do të zgjerohet edhe në sektorët e tjerë të punëve të brendshme në të gjithë vendin.
