www.telegrami.mk
Dy vite ministër. Shumë vizita. Shumë fotografi. UT në Tetovë iu kujtua apo…?
Pançe Toshkovski nuk e zbuloi dje Universitetin e Tetovës. Universiteti ka qenë aty edhe kur ai ka vizituar universitete dhe fakultete të tjera, edhe kur ka folur për studentët më të mirë, edhe kur ka kërkuar kuadro për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Por më 9 shtator 2026, pas më shumë se dy vitesh në krye të MPB-së, ministri më në fund u shfaq edhe në Tetovë.PSE?
Dhe menjëherë erdhi deklarata e bukur: studentët më të mirë të Universitetit të Tetovës mund ta vënë dijen e tyre në shërbim të institucioneve të sigurisë.
Mirë. Por atëherë le ta bëjmë pyetjen që nuk bëhet në fotografitë protokollare:
Ku ishte kjo derë për studentët shqiptarë gjatë dy viteve të kaluar?
Sepse ministria nuk është klub me hyrje sipas rastit. Universitetet nuk janë dekor për konferenca. Dhe studentët shqiptarë nuk mund të kujtohen vetëm kur ministri duhet të dëshmojë se “bashkëpunon me të gjithë”.
Nëse Toshkovski vërtet beson te meritokracia, atëherë le ta provojë me shifra, konkurse dhe punësime – jo vetëm me një vizitë dhe një fotografi me rektorin.
Sepse në fund, pyetja nuk është pse Toshkovski erdhi në Tetovë.
Pyetja është shumë më e pakëndshme: pse iu deshën më shumë se dy vite?…www.telegrami.mk
