BallinaLajmeElita 5 nuk e humb identitetin shqiptar duke kënduar në festën e...

Elita 5 nuk e humb identitetin shqiptar duke kënduar në festën e shtetit,përkundrazi e forcon me prezencë

www.telegrami.mk

Qenka hapur një debat i çuditshëm në rrjetet sociale: fillimisht pyetja ishte “Pse nuk ka këngëtarë shqiptarë në festimet e 35-vjetorit të pavarësisë?”. Tani që një grup shqiptar, madje një nga emrat më të njohur të rokut shqiptar, Elita 5 nga Tetova, është ftuar të performojë, pyetja është kthyer në: “Po pse po merr pjesë?”

Domethënë, kur nuk na ftojnë, bërtasim për përjashtim. Kur na ftojnë, bërtasim për pjesëmarrje.

Pak e çuditshme, apo jo?

Elita 5 nuk shkon atje për të kërkuar leje për të qenë shqiptarë. Shkon të këndojë. Dhe këndon shqip.

Kjo duhet të jetë gjëja më normale në një shtet ku shqiptarët janë pjesë e këtij vendi, e historisë së tij, e shoqërisë së tij dhe, sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit, përbëjnë rreth 29 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Për çfarë kemi nevojë atëherë? Për një shtet ku shqiptarët duhet të jenë të pranishëm vetëm në fotografitë e statistikave, por jo në skenat e festave shtetërore?

Jo.

Pikërisht e kundërta. Shqiptarët duhet të jenë prezentë në çdo manifestim shtetëror.

Jo për t’i bërë qejfin dikujt. Jo për të dëshmuar se “edhe ne ekzistojmë”. Por sepse ky është edhe shteti i tyre.

Dhe këtu qëndron absurdi i debatit të sotëm.

Disa duket sikur duan që shqiptarët të ankohen kur nuk janë të ftuar, por të refuzojnë kur ftohen. Sikur pjesëmarrja në një manifestim shtetëror të ishte ndonjë kurth identitar.

Nëse Elita 5 do të kishte kënduar në një manifestim partiak, do të ishte tjetër histori. Por bëhet fjalë për një festë shtetërore. Dhe në një festë shtetërore, pjesëmarrja e shqiptarëve nuk është dekor. Është normalitet.

Madje, do të ishte shumë më problematike sikur në një festë të tillë shqiptarët të mungonin plotësisht.

Sepse atëherë fotografitë do të flisnin vetë.

Një shtet që feston 35 vjetorin e pavarësisë, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve të tij mungojnë nga skena, nga programi dhe nga simbolika publike, mund t’i japë botës një mesazh shumë më të keq: se ky është shtet vetëm i njërës palë.

Prandaj, prania e Elitës 5 në Tetovë nuk duhet parë si problem.

Problem do të ishte mungesa e saj.

Dhe le të jemi të sinqertë: Elita 5 nuk është ndonjë grup që u shfaq dje për të marrë një mikrofon në një festë qeveritare. Është një grup që prej dekadash ka krijuar muzikë, ka mbajtur gjallë rokun shqiptar dhe ka lënë gjurmë te disa breza shqiptarësh.

Nga Tetova.

Në shqip.

Me këngë që i dinë mijëra njerëz përmendësh.

Pra, çfarë na shqetëson saktësisht?

Se një grup shqiptar do të këndojë shqip në një festë shtetërore?

Apo se për disa minuta, në një skenë shtetërore, do të dëgjohet edhe shqipja?

Nëse problemi është i dyti, atëherë kemi një problem shumë më të madh se një koncert.

Sepse shqiptarët nuk duhet të jenë spektatorë të historisë së këtij shteti. Duhet të jenë pjesëmarrës të saj.

Dhe kjo vlen edhe kur festohet shteti.

Madje, sidomos atëherë.

Prandaj, më 15 shtator, le të këndojë Elita 5.

Le të këndojë shqip.

Le ta dëgjojë Tetova.

Le ta dëgjojë Maqedonia e Veriut.

Dhe le ta dëgjojë edhe bota.

Sepse mesazhi nuk është se shqiptarët “u lejuan” të marrin pjesë në festën e shtetit.

Mesazhi është shumë më i thjeshtë: shqiptarët janë këtu. Kanë qenë këtu. Dhe do të jenë këtu.

E nëse dikush deri dje pyeste:

“Ku janë shqiptarët?”

Sot, kur Elita 5 ngjitet në skenë, nuk ka më nevojë të pyesë.

Janë aty. Me kitarë, me muzikë dhe duke kënduar shqip.

Dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo që disa nuk e prisnin…

www.telegrami.mk

======================================================

P.S Si duket vetë struktura të caktuara të politikës nga blloku maqedonas yshtin shkrimet ndër shqiptarët për defetizëm shtetëror që shqiptarët të largohen nga institucionet shtetërore sikur nuk duan të tregohet se SHQIPTARËT NË MAQEDONI nuk janë as sa sërbët në Kosovë,as sa nacionalitetet margjinale në rajon por një numër rrënqethës…DIELLI ME SHOSHË NUK MBULOHET …Duhet të insistojmë që shqiptarët të marin pjesë dhe të fitojnë edhe çmimet shtetërore ,ato paguhen edhe nga taksapaguesit shqiptar në RMV ..propozimi që ELITA 5 të mbajë emrin një rrugë mendoj është më se OK bile pse mos ti vihet ndonjë SHESHI …krenaria e Tetovës,kur përmendet Elita 5 në mënyrë automatike Tetova del në heshtje në prapavijë si metropol i shqiptarëve në RMV …Pra Kur shqiptari mungon, ankohemi; kur vjen, prapë ankohemi!

Deri dje pyetja ishte: “Pse nuk ka këngëtarë shqiptarë në festimin e 35-vjetorit të shtetit?”

Sot, sapo u njoftua se Elita 5, grupi kult i rokut shqiptar nga Tetova, do të këndojë më 15 shtator, disa kanë gjetur një problem të ri:

“Pse po merr pjesë?”

Pra, formula e re e patriotizmit në Facebook qenka:

Kur nuk na ftojnë – diskriminim.
Kur na ftojnë – tradhti.
Kur mungojmë – skandal.
Kur marrim pjesë – prapë skandal!

Elita 5 nuk po shkon të ndryshojë identitet. Po shkon të këndojë shqip. Dhe pikërisht kjo duhet të na bëjë krenarë.

Shqiptarët duhet të jenë prezentë në çdo manifestim shtetëror, jo si dekor, por si pjesë e këtij shteti. Përndryshe, duke refuzuar çdo hapësirë që na jepet, ua lëmë skenën të tjerëve dhe pastaj ankohemi pse nuk jemi aty.

Prandaj, atyre që sot pyesin “pse shkoi Elita 5?”, përgjigjja është e thjeshtë:

Sepse është grup shqiptar, nga Tetova, këndon shqip dhe ky është edhe shteti i shqiptarëve.

Le të këndojë Elita 5.

Në shqip. Në Tetovë. Në festën e shtetit.

Dhe ndoshta pyetja që duhet bërë nuk është “pse mori pjesë?”, por:

“Pse na duket ende e çuditshme që shqiptarët marrin pjesë në festën e shtetit të tyre?”

=======================================================

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments