Që kur u shpalos skandali me kanalizimin në Kërçovë, nuk kemi dëgjuar as edhe një fjalë të vetme nga BDI-ja. Për tre mandate radhazi, kjo parti e kishte në dorë Komunën e Kërçovës. Pikërisht gjatë qeverisjes së saj, projekti me vlerë prej mbi nëntë milionë euro, i financuar me para të Bashkimit Evropian, duhej të përfundonte në vitin 2024.
Siç dihet, paratë janë dhënë, afatet kanë kaluar, ndërsa banorët kanë mbetur me gropa septike.
Për dy javë, heshtje totale.
Prej tyre dëgjojmë gjithçka. Çdo ditë kanë nga një tregim për patriotizëm. Por për skandalin që e la pa kanalizim Zajazin, vendlindjen e kryetarit të tyre Ali Ahmeti, askush nuk e hap gojën.
Hesht Ali Ahmeti. Heshtin ish-drejtuesit e komunës. Heshtin edhe ata që për vite me radhë e kanë pasur në duar komunën, institucionet dhe projektet që janë realizuar atje.
Heshtja e tyre vetëm sa i forcon dyshimet se edhe në fondet evropiane i kanë futur duart deri në bërryla.
Përpara opinionit flasin për integrime e standarde evropiane. Por kur duhet të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me më shumë se nëntë milionë euro të taksapaguesve evropianë, zgjedhin ta mbajnë gojën mbyllur.
Të nderuar,
Kjo është mënyra se si BDI-ja ka qeverisur për më shumë se dy dekada. Evropën e kanë mbajtur në majë të gjuhës, por kur vinte puna te fondet evropiane, i harronin edhe vlerat, edhe standardet.
Pjesa më e turpshme e këtij skandali është se bëhet fjalë për Zajazin, vendlindjen e Ali Ahmetit. Nëse kështu janë kujdesur për Zajazin, mund të merret me mend se si janë kujdesur për vendbanimet e tjera shqiptare.
Nëntë milionë euro nuk janë pak para që të mos dihet ku kanë përfunduar. Janë para të taksapaguesve evropianë, të destinuara për kanalizim dhe kushte elementare për banorët.
BDI-ja mund të bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë, por heshtja nuk e mbyll skandalin. Përkundrazi, çdo ditë pa përgjigje vetëm sa e forcon dyshimin se dëshiron që ky skandal dhe ky turp të harrohen.
Ne këtë nuk do ta lejojmë, por as nuk do t’i lëmë banorët e Zajazit të vazhdojnë të jetojnë me gropa septike. E kemi thënë edhe më herët dhe po e përsërisim edhe sot, kanalizimin Zajaz–Dugovë do ta përfundojmë.
