www.telegrami.mk
Një fotografi nga takimi zyrtar mes ministrit të ri të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, dhe ambasadorit të Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pammer, ka nxitur reagime në opinion pasi në të shihej edhe një flamur i vogël i Shqipërisë i vendosur mbi tavolinë.
Interesant është fakti se fotografia, e cila fillimisht u publikua në faqen zyrtare në Facebook të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe u mor nga disa media, më vonë nuk ishte më e disponueshme në publikim.
Në momentin e publikimit, Ministria ndau një seri fotografish nga takimi. Në njërën prej tyre shihej qartë flamuri shqiptar i vendosur përpara ministrit, krahas simboleve shtetërore. Më vonë, kjo fotografi u hoq nga galeria, ndërsa në fotografitë e mbetura flamuri nuk shihet.
Sipas Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, në objektet e Qeverisë, Kuvendit, ministrive, gjykatave dhe institucioneve të tjera qendrore shtetërore, zyrtarisht vendoset flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ligji parashikon mundësinë e vendosjes së flamujve të shteteve të huaja gjatë takimeve zyrtare dypalëshe, si dhe të flamujve të organizatave ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe NATO.
Në të njëjtën kohë, korniza ligjore nuk parashikon përdorimin e flamujve të bashkësive etnike në ambientet zyrtare të institucioneve qendrore shtetërore. E drejta për vendosjen e tyre zyrtare dhe të përhershme është e kufizuar vetëm në njësitë e vetëqeverisjes lokale, sipas kushteve të përcaktuara me ligj.
Deri më tani, Ministria e Kulturës dhe Turizmit nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar as pse flamuri shqiptar ishte vendosur gjatë takimit dhe as pse fotografia ku ai shihej nuk është më pjesë e publikimit zyrtar në rrjetet sociale.
Në Fb oficial të Ministrisë së Kulturës dhe turizmit të RMV mungon flamuri kombëtar shqiptar
www.telegrami.mk
