www.telegrami.mk
VLEN po e ndjek të njëjtën rrugë që për 22 vite e ndoqi BDI-ja: shumë deklarata për “suksese”, por pak rezultate që i ndiejnë qytetarët. Sot, pas tre vitesh në pushtet, dëgjojmë sërish justifikime dhe premtime, ndërsa problemet themelore mbeten të pazgjidhura.
Kur Bilall Kasami flet për “kënaqësi” me punën e ministrave, lind pyetja e thjeshtë: me cilat rezultate konkrete? A janë zgjidhur problemet e arsimit, të rinisë, të punësimit, të drejtësisë dhe të zhvillimit ekonomik? Apo suksesi matet vetëm me ndërrimin e ministrave dhe ndarjen e posteve?
Në vend që të ofrohen reforma serioze, qytetarëve u serviret i njëjti model politik që është parë për dekada: kur një problem nuk zgjidhet, ndërrohet personi, por sistemi mbetet po ai. Studentët nuk kanë nevojë për pazare politike, por për institucione që funksionojnë dhe vendime të shpejta e të drejta.
VLEN premtoi ndryshim nga mënyra se si qeveriste BDI-ja, por deri më tani ngjan se ka trashëguar të njëjtën kulturë politike: propagandë, vetëlavdërim dhe arsyetime, ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin rezultate.
Ndryshimi nuk provohet me konferenca për shtyp dhe intervista, por me vepra. Dhe kur rezultatet mungojnë, çdo krahasim me BDI-në bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u mohuar…www.telegrami.mk
Mesut Shabani

