Mesa duket, nuk janë të aftë të bëjnë as zgjidhje të këqija. Kështu thuhet në reagimin ironik të BDI-së ndaj deklaratës së një jave më parë të zëvendëskryeministrit dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, se zgjidhja për provimin edhe në shqip në Jurisprudencë do të jetë deri të enjten (dje).
“Të enjten tha se do të ketë zgjidhje përfundimtare. Sot është e premte. Zgjidhje nuk ka. Dhe për herë të parë, kjo është një lajm i mirë. Sepse çdo zgjidhje jashtë Ligjit për Gjuhët do të ishte katastrofale. Mesa duket, nuk janë të aftë të bëjnë as zgjidhje të këqija”, thuhet në reagimin e BDI-së, përcjell gazeta KOHA.
Ndryshe, një javë më parë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali në emisionin “Click plus” në TV21 kishte thënë se të enjten (për dje) do të sillet një draft-final për provimin e jurisprudencës.
“A do të ketë nevojë ajo zgjidhje të shkojë në Komisionin e Venecias apo jo, ditën e enjte duhet të sillet një zgjidhje finale nëse ka nevojë të shkojë në këtë Komision. Në deklaratën e fundit thash se brenda një jave do të ketë zgjidhja finale që duhet të jetë nga ekspertët, por ne e kemi dhënë mbështetjen politike që duhet të ketë ky vendim, ekspertët në bazë të ndryshimeve për dhënien e provimit mund të konstatojnë nëse ka apo ajo nevojë të shkojë në Komisioni e Venecias”, ishte shprehur Sali.
Por, ndryshe nga Sali kishte thënë bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti. Ai për mediat në Tiranë tha se për tre muaj do të zgjidhet çështja e gjuhës shqipe në Jurisprudencë!
