www.telegrami.mk
Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se qeveria po punon për zgjidhje lidhur me provimet shtetërore në gjuhën shqipe dhe se studentët duhet “të jenë të durueshëm”, po interpretohet nga shumë studentë dhe qytetarë shqiptarë si tentativë për të zvarritur procesin dhe për të ulur presionin ndaj institucioneve.
Kryeministri Hristijan Mickoski për çdo të drejtë të shqiptarëve në RMV thirret në Komisioni i Venecias dhe “standardet ndërkombëtare”, por kur studentët shqiptarë kërkojnë përgjigje konkrete për provimet shtetërore në gjuhën shqipe, qeveria kërkon vetëm durim.
Protesta nuk ndalohet me fjali politike dhe as me blerje kohe. Studentët dhanë kohë të mjaftueshme pas kërkesës së parë dhe paralajmërimit të dytë, por në vend të transparencës morën heshtje institucionale. Pikërisht kjo heshtje krijon dyshimin se pushteti po tenton të zvarrisë procesin dhe të dekurajojë reagimin qytetar.
Nëse qeveria ka zgjidhje, pse nuk e prezantoi më herët? Pse studentët duhet të presin pafund derisa të kujtohet pushteti të komunikojë? Të drejtat gjuhësore nuk janë favor politik, por detyrim kushtetues dhe standard demokratik.
Kur bëhet fjalë për shqiptarët, gjithmonë kërkohet “pritni edhe pak”. Ndërsa protesta paqësore mbetet e drejtë legjitime e studentëve dhe qytetarëve që nuk pranojnë të trajtohen si çështje dytësore në shtetin ku janë pjesë përbërëse.
Studentët shqiptarë thonë se nuk kërkojnë privilegje, por respektim të të drejtave të garantuara. Ata paralajmërojnë se protesta e 18 majit vjen pikërisht si pasojë e mungesës së përgjigjeve konkrete dhe komunikimit institucional. Për shumëkënd, problemi nuk është vetëm zgjidhja që pritet, por heshtja dhe vonesa që po e shoqëron atë...www.telegrami.mk
===========================================
Mesut Shabani Tetovë

