Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) në opozitë ka akuzuar liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se ka angazhuar një kompani private të huaj inteligjence për të ndjekur opozitën dhe, siç thonë ata, për të fabrikuar aferat.
Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për “Black Cube”, një kompani private izraelite e inteligjencës, të cilën LSDM e përshkruan si “Mossad privat”, e njohur për “ndjekjen, mbledhjen e informacioneve, provokimet dhe fabrikimin e aferave kundër objektivave politikë”
“Mickoski dhe grupi i tij kanë angazhuar këtë kompani për të ndjekur funksionarët e LSDM-së, veçanërisht kryetarin Venko Filipçe”, thuhet në kumtesë.
Nga LSDM pretendojnë se një ekip i “Black Cube” ka qëndruar së fundmi në Shkup dhe ka zhvilluar takime në një hotel, në të cilat, siç vërejnë ata, ka marrë pjesë edhe një biznesmen i afërt me VMRO-DPMNE-në, i cili duhej të financonte angazhimin.
