Shkurtim të mjeteve financiare për Korridorin 8 dhe 10d ka pasur që në buxhetin e votuar për vitin 2026 dhe ne si grup parlamentar kemi parashtruar amandament me të cilin kemi kërkuar që të zmadhohen mjetet nga 6,3 miliardë denarë të parashikuara në buxhet në 15 miliardë denarë. Rritja e buxhetit në 15 miliardë denarë do të mundësonte përshpejtimin e punës dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ky amandament atëherë u refuzua pa asnjë arsyetim nga shumica parlamentare.
Nuk është rastësore edhe largimi nga puna i mbi 50 punëtorëve pikërisht në këtë fazë të punimeve.
Këtu është e qartë se bëhet fjalë për reduktim të mjeteve sepse të njejtat janë shkurtuar që në planifikimin e buxhetit për vitin 2026.
Korridori 8 dhe 10d, janë projekte shumë të rëndësishme strategjike dhe infrastrukturore për vendin e sidomos për zhvillimin e pjesës veri-perëndimore dhe lidhjes së saj me vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e pandashme e Bashkimit Evropian.
Prandaj shtrohet pyetja: si mund të jetë realizimi i Korridorit 8 dhe 10d prioritet i qeverisë kur në të njejtën kohë në buxhetin e vitit 2026 pikërisht për këto janë zvogëluar dukshëm mjetet?
Faktet janë këto dhe me të drejtë ngiten gjithë këto dilema e vihet në pikëpyetje realizimi i projektit në tërësi.
