6.8 C
Tetovo
E diel, 8 Mars, 2026
BallinaLajmeAutostrada Korridori 8 pa inspektim nga Qeveria deri tash dhe kush do...

Autostrada Korridori 8 pa inspektim nga Qeveria deri tash dhe kush do mbajë përgjegjësi për lëshimet eventuale sepse financohet nga taksapaguesit e RMV -së

www.telegrami.mk

Projekti i autostradës në Korridori 8, që po ndërtohet nga konsorciumi Bechtel & Enka, po shoqërohet me deklarata kontradiktore dhe me një mungesë shqetësuese transparence institucionale. Deri më sot, publiku nuk ka parë një raport serioz nga ndonjë inspektorat shtetëror që të konfirmojë nëse punimet po zhvillohen sipas projektit ndërtimor, nëse cilësia është në standardet e kërkuara dhe nëse po respektohen afatet e parashikuara.

Kjo heshtje institucionale bëhet edhe më problematike kur përballë dalin dy versione krejt të ndryshme të realitetit. Kompania thotë se reduktimi i fuqisë punëtore lidhet me kufizime buxhetore të qeverisë dhe me qasje të kufizuar në kantier. Në anën tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski deklaron se qeveria nuk i ka asnjë borxh kompanisë dhe se punëtorët duhet të kërkojnë sqarime te kompania dhe te ata që e kanë nënshkruar marrëveshjen.

Kur një projekt strategjik për vendin përfshihet në një ping-pong deklaratash, përgjegjësia nuk mund të mbetet pezull. Ose ka probleme financiare që po pengojnë realizimin e projektit, ose kemi të bëjmë me një përplasje politike rreth një kontrate të nënshkruar më herët. Në të dy rastet, qytetarët meritojnë përgjigje të qarta.

Më e pakta që pritet nga institucionet është kontrolli i rregullt i punimeve dhe publikimi i raporteve për gjendjen reale në terren. Kur bëhet fjalë për projekte që kapin vlera miliardëshe dhe që financohen me para publike, çdo mungesë mbikëqyrjeje vetëm sa shton dyshimet për keqmenaxhim apo për standarde të ulëta të punimeve.

Ndërkohë, punëtorët që po mbeten pa punë janë viktimat e para të këtij konfuzioni. Ata nuk mund të mbajnë barrën e një marrëveshjeje për të cilën nuk kanë pasur asnjë rol në negocim. Përgjegjësia reale është te institucionet dhe te politikanët që e kanë projektuar, nënshkruar dhe që sot duhet ta menaxhojnë këtë kontratë.

Në fund, pyetja mbetet e thjeshtë: nëse gjithçka është në rregull me projektin e autostradës, pse nuk ka një kontroll të qartë institucional që ta vërtetojë këtë? Heshtja nuk është përgjigje. Në projekte të tilla, transparenca nuk është luks – është detyrim ndaj qytetarëve…www.telegrami.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments