4.8 C
Tetovo
E hënë, 16 Shkurt, 2026
BallinaLajmeCILËSIA E JETESËS: Sllovenia kryeson, Maqedonia në fund të listës

CILËSIA E JETESËS: Sllovenia kryeson, Maqedonia në fund të listës

Diferencat në standardin e jetesës mes vendeve të Ballkanit mbeten të theksuara, sipas të dhënave të fundit nga indekset ndërkombëtare që matin cilësinë e jetesës. Në krye të rajonit renditet Sllovenia (vendi i 22), ndërsa në fund të listës qëndron Maqedonia e Veriut, në vendin e 82. Indeksi i cilësisë së jetesës përfshin një sërë faktorësh që ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e përditshëm të qytetarëve, si fuqia blerëse, siguria publike, sistemi shëndetësor, kostoja e jetesës, ndotja e mjedisit dhe koha e udhëtimit në trafik. Kombinimi i këtyre treguesve ofron një pasqyrë të përgjithshme të mirëqenies ekonomike dhe sociale në secilin vend, shkruan gazeta KOHA.

Sllovenia mbetet vendi me performancën më të mirë në Ballkan, duke u afruar me standardet e vendeve të Evropës Perëndimore. Pas saj renditen Kroacia (vendi 40) dhe Greqia (vendi 41), të cilat ruajnë nivele relativisht të larta të cilësisë së jetesës krahasuar me pjesën tjetër të rajonit. Në mes të tabelës pozicionohen Mali i Zi (48), Rumania (53), Serbia (65) dhe Bullgaria (68), me rezultate mesatare që reflektojnë përparim ekonomik, por edhe sfida të vazhdueshme në shërbimet publike dhe fuqinë blerëse. Në fund të renditjes qëndrojnë Shqipëria (74), Bosnja e Hercegovina (75) dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut, ku niveli më i ulët i të ardhurave, infrastruktura e kufizuar dhe presioni mbi sistemet publike vazhdojnë të ndikojnë negativisht në standardin e jetesës.
Ekspertët theksojnë se hendeku rajonal lidhet kryesisht me: fuqinë reale blerëse të qytetarëve, cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe sociale, nivelin e ndotjes dhe planifikimin urban, stabilitetin ekonomik dhe investimet afatgjata. Vendet që kanë integrim më të avancuar në Bashkimin Evropian dhe ekonomi më konkurruese arrijnë rezultate dukshëm më të larta në këto tregues.

Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi ndërkohë ka komentuar se Indeksi për Cilësinë e Jetesës tregon se realitetin në të cilin jetojnë qytetarët karshi gënjeshtrave të Qeverisë se jemi ekonomia e katërt në bitë me rritje të shpejtë. “Garbage in, garbage out (GIGO) – kur në debatin ekonomik futen krahasime selektive, vetëlavdërime dhe shifra pa kontekst, në fund marrim një “ekonomi të katërt në Europë” të rreme. Ndërsa sa i përket asaj që qytetarët e ndjejnë, Maqedonia është në vendin e 82-të për cilësinë e jetës. Kjo është diferenca mes rrëfimit PR të Qeverisë dhe realitetit në të cilin jetojnë qytetarët”, shkruan Bytyqi, ndërsa këtë e lidh me debatin për rritjen e pagës minimale në vend.

“Në një kontekst të tillë, debati për pagën minimale prej 600 eurosh nuk është çështje ‘përshtypjeje’, por e vlerësimit me dinjitet të punës. Nën këtë kufi, shteti praktikisht dërgon mesazhin se është normale që një njeri të punojë gjithë muajin dhe prapë të mbetet i varfër”, shkruan Bytyqi.

Por, pavarësisht dallimeve aktuale, raportet ndërkombëtare vlerësojnë se Ballkani ka potencial për përmirësim gradual të cilësisë së jetesës, veçanërisht përmes reformave ekonomike, investimeve në infrastrukturë dhe forcimit të institucioneve publike. Megjithatë, pa rritje të qëndrueshme të të ardhurave dhe përmirësim të shërbimeve bazë, vendet në fund të renditjes rrezikojnë të mbeten prapa edhe në vitet në vijim.(koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments