Kanë vërshuar reagimet pas deklaratës së kryeministri Mickoski se provimi e jurisprudencës mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani tha se ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, duhet menjëherë të japë dorëheqje.
“Pasi Kryeministri konfirmoi sot se me ligj provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën shqipe, një gjë është e qartë: Ministri i Drejtësisë duhet të japë menjëherë dorëheqje.
Ndërsa për përfaqësuesit e VLEN-it: Më mirë të mos shihen askund për një kohë”, tha Bujar Osmani.U kundërpërgjigjen nga VLEN, nga ku garantojnë se provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe. Nga atje fajësojnë BDI-në duke theksuar se me pushtet plot 20 vjet nuk e ka kryer asnjë punë si duhet.
“BDI me pushtet plot 20 vjet nuk e ka kryer asnjë punë si duhet. Gjithmonë me stërkëmbëza, gjithmonë me gjysmë zgjidhje. Prandaj duhej të shkonin në opozitë, që shqiptarët ta shohin me sy se sa pa vullnet kanë qenë. Pushtet patën, vullnet jo”, tha VLEN.Dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë e kërkuan edhe nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, ndërsa nga krahu i Taravarit thanë se provimi i jurisprudencës në shqip është një e drejtë e fituar nga studentët.
Deklarata e kryeministrit është përshëndetur edhe nga Shqipëria. Ministrja për Evropë dhe Çështje të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka përgëzuar studentët shqiptarë për mënyrën demokratike me të cilën kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Spiropali vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.
