Pesë kandidatët për kryeprokuror janë në pritje që procedura e zgjedhjes të përfundojë së shpejti, pasi Qeveria në seancën e djeshme mori vendim që kandidaturat t’i dërgojë në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Ata kanë afat prej 15 ditësh t’i përgjigjen Qeverisë, përkatësisht të dërgojnë mendime për kandidaturat, ndërsa nga ata që do të marrin mendim pozitiv, Qeveria më pas duhet të vendosë se cilin kandidat do ta dërgojë si propozim përfundimtar. Kryeministri Mickoski thotë se nga kryeprokurori i ri pret që t’i hapë të gjitha lëndët që janë nisur në Prokurori dhe të jetë mbrojtës i së drejtës.Gjëja e parë që duhet të bëjë është që të gjitha ato dokumente dhe raste që mbaheshin në sirtar t’i nxjerrë dhe t’i hetojë. Atje ku nuk ka vepër dhe prova t’i mbyllë, atje ku ka vepër dhe prova të formojë raste dhe t’i dorëzojë në gjykatë, pastaj gjykata duhet të vendosë nëse do të fillojë apo nuk do të fillojë procedurë gjyqësore. Pres të jetë mbrojtës i së drejtës, të jetë gjenerator i drejtësisë dhe drejtësisë së vërtetë”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, në deklaratë për TV21 tha se ende nuk e u kanë arritur lista me kandidaturat, por sapo ta marrë, menjëherë do të caktohet seancë.“Ende nuk e kemi marrë, dje dëgjova në lajme se Qeveria e ka kaluar, me siguri për dy-tri ditë do të vijë. Kur ta marr, do t’ua paraqes propozimin të gjithë anëtarëve dhe do të caktoj seancë. Afati është deri në 15 ditë, por nuk do të pres afatin e fundit nga dita e pranimit të propozimit nga Qeveria”, u shpreh Bashkim Besimi – Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Në garë për pasardhës të Kocevskit janë tre prokurorë, një gjyqtar aktiv dhe një ish-gjyqtar, përkatësisht ushtruesja aktuale e detyrës kryeprokurore Anita Topallova-Isajllovska, prokuroret Lençe Ristovska dhe Lidija Raiçeviq, pastaj gjyqtari nga Penalja Nenad Savevski dhe gjyqtari i shkarkuar dhe ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski.
