Dokumente online, vendime të mbyllura: si komunat e përdorin “transparencën” për t’u fshehurI. ndeksi 2025 i Transparency International zbulon dështimin sistemik të pushtetit lokal.
Gazeta Flaka
Transparenca në pushtetin lokal në Maqedoninë e Veriut mbetet nën nivelin e pritshëm dhe larg standardeve të llogaridhënies reale. Këtë e konstaton Indeksi i Transparencës Lokale 2025, raport përfundimtar i publikuar nga Transparency International – Macedonia në janar 2026, i cili për herë të parë aplikon këtë metodologji në vend, njofton Gazeta Flaka
Si u realizua vlerësimi
Gjatë vitit 2025, Transparency International – Macedonia zhvilloi një vlerësim pilot për të matur nivelin e transparencës së komunave ndaj qytetarëve, qasjen në informata publike dhe mënyrën e publikimit të dokumenteve kyçe që lidhen me vendimmarrjen lokale.
Hulumtimi u bazua në 91 indikatorë, të ndarë në 8 fusha: puna e këshillave komunalë, buxheti, marrëdhënia e komunave me qytetarët, qasja në informata publike, prokurimi publik, ndërmarrjet dhe institucionet publike, debatet dhe konkurset publike, si dhe indikatorë të tjerë të integritetit institucional.
Në analizë u përfshinë tetë komuna, më e madhja për nga popullsia në secilin rajon planor: Aerodromi, Manastiri, Velesi, Kumanova, Ohri, Strumica, Tetova dhe Shtipi.
Vlerësimi nuk u kufizua vetëm në respektimin formal të ligjit, por synoi të masë standarde më të larta të transparencës që krijojnë kontroll real qytetar. Pas përfundimit të analizës, rezultatet iu dërguan komunave për verifikim, por vetëm tre prej tyre reaguan, fakt që vetë flet për seriozitetin institucional ndaj kësaj çështjeje.
Rezultatet: mesatare e ulët dhe dallime të theksuara
Asnjë komunë nuk arriti nivel të lartë transparence. Mesatarja e përgjithshme është 52 pikë nga 100.
Renditja sipas pikëve është:
- Manastiri – 67 pikë
- Velesi – 60 pikë
- Shtipi – 55 pikë
- Strumica – 54 pikë
- Kumanova – 51 pikë
- Aerodromi – 49 pikë
- Tetova – 43 pikë
- Ohri – 39 pikë
Sipas raportit, komunat me performancën më të dobët janë Ohri, Tetova dhe Aerodromi.
Këshillat komunalë: transparencë pas vendimit
Në shumicën e komunave publikohen vendimet e këshillave komunalë dhe agjendat e seancave. Megjithatë, projekt-vendimet dhe dokumentet shoqëruese nuk publikohen para seancave, duke ua pamundësuar qytetarëve ndjekjen reale të procesit vendimmarrës. Gjithashtu, nuk publikohen votat individuale të këshilltarëve.
Buxhetet: të publikuara, por jo të kuptueshme
Të gjitha komunat publikojnë buxhetet e tyre, por kryesisht në formë të skanuar, të paanalizueshme dhe jo të kërkueshme. Raportet mujore për shpenzimet mungojnë plotësisht, ndërsa auditimet e brendshme dhe të jashtme nuk janë praktikë e rregullt. Edhe pse thirrjet për debate buxhetore publikohen, mungon informacioni se cilat sugjerime të qytetarëve janë marrë parasysh.
Qytetarët dhe shërbimet: funksionim formal
Një numër i madh komunash nuk kanë qendra funksionale shërbimi për qytetarët. Edhe aty ku ekzistojnë, informacioni për afatet, procedurat dhe ndjekjen e rasteve është i kufizuar. Mekanizmat për raportimin e parregullsive dhe korrupsionit janë të paqartë dhe pak të dukshëm.
Ndërmarrjet publike: transparenca më e dobët
Sipas raportit, ndërmarrjet dhe institucionet publike komunale paraqesin pikën më të dobët të transparencës. Shumica nuk publikojnë plane vjetore pune, raporte të realizimit, të dhëna për punësime, paga apo procedura për emërimin e drejtuesve. Llogaridhënia publike është minimale.
Përfundimi: formalitet, jo hapje reale
Transparency International – Macedonia vlerëson se transparenca lokale në Maqedoninë e Veriut trajtohet kryesisht si detyrim formal, jo si instrument për demokraci funksionale. Raporti rekomandon publikim proaktiv të dokumenteve, buxhete në formate të hapura, auditime të rregullta, raporte vjetore të punës dhe shërbime administrative funksionale për qytetarët.
Mesazhi i raportit është i qartë: transparenca nuk është PR institucional, por detyrim demokratik. Pa informim të kuptueshëm dhe qasje reale, pushteti lokal mbetet i mbyllur dhe i pakontrollueshëm. Gazeta Flaka
