www.telegrami.mk
Deklaratat triumfaliste të Kryeministrit Hristijan Mickoski për fondet evropiane nuk përputhen plotësisht me atë që shkruan vetë Komisioni Evropian. Në raportin zyrtar të BE-së thuhet qartë se Maqedonia e Veriut ka përfituar 65.7 milionë euro në këstin e fundit, ndërsa totali i mjeteve të liruara deri më tani arrin në 142.1 milionë euro. Këto janë fonde të ndara në disa faza dhe të lidhura me realizimin e reformave, jo “dhuratë politike” apo sukses ekskluziv i një partie.
Megjithatë, Mickoski mundohet ta paraqesë këtë si dëshmi se RMV është “e para në rajon”, duke përzier shifra të ndryshme dhe duke krijuar perceptim propagandistik tek opinioni publik. Në vend të transparencës dhe gjuhës institucionale, ai përdor edhe etiketime fyese ndaj kundërshtarëve politikë, gjë që nuk i shkon një kryeministri që pretendon sukses evropian.
“Kur lexon raportin e BE-së dhe pastaj dëgjon Mickoskin, krijohet përshtypja sikur po flitet për dy dokumente të ndryshme. Raporti i Komisionit Evropian flet për këste të ndara dhe për fonde të kushtëzuara nga reformat, ndërsa Kryeministri mundohet ta shesë këtë si triumf personal dhe propagandë partiake. Totali prej 142.1 milionë eurosh nuk është ‘dhuratë’ për shkak të retorikës së qeverisë, por pjesë e një mekanizmi rajonal ku përfshihen edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Në vend të vetëlavdërimit dhe ofendimeve ndaj opozitës me etiketime si ‘brejtës’ apo ‘llum’, qytetarët meritojnë transparencë të saktë: sa para kanë hyrë realisht, për çfarë projektesh dhe çfarë reformash konkrete janë realizuar. Manipulimi me shifra mund të prodhojë tituj politikë, por nuk e ndryshon përmbajtjen e raportit të BE-së.”
Raporti i BE-së flet me shifra dhe kushte konkrete, ndërsa Mickoski flet me superlativa politike. Qytetarët kanë nevojë për të vërtetën: sa mjete kanë hyrë realisht, ku do të shpenzohen dhe cilat reforma janë realizuar. Propaganda mund të krijojë duartrokitje partiake për një ditë, por dokumentet zyrtare të BE-së tregojnë qartë se fondet janë rezultat i mekanizmave rajonalë dhe detyrimeve reformuese, jo meritë personale e askujt.
www.telegrami.mk
Mesut Shabani

