Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër lidhur me gjendjen në Universitetin “Nëna Tereze” në Shkup, duke e cilësuar situatën aktuale si “mashtrim politik” dhe degradim institucional informon Tetovasot.Në një deklaratë publike, Visar Sulejmani theksoi se ky institucion nuk është një universitet i rastësishëm, por një projekt për të cilin është luftuar me vite.
“Ky nuk është universitet i rastësishëm, por institucion për të cilin kemi luftuar me vite”, deklaroi Sulejmani.Ai rikujtoi se Universiteti “Nëna Tereze” është themeluar si universitet shtetëror dhe publik në Shkup, duke u zgjeruar më pas në lokacionin e Kazermës Ilinden.
“E kemi themeluar si universitet shtetëror dhe publik në Shkup, e kemi zgjeruar në lokacionin Kazermë Ilinden dhe e kemi rinovuar duke krijuar kushte reale për mësim dhe punë shkencore”, tha Sulejmani.
Sipas tij, pas ndërrimit të pushtetit ka ndodhur kapja e parë politike e këtij institucioni.
“Pas ndërrimit të pushtetit, universiteti u shndërrua në bazë partie”, u shpreh ai.
Sulejmani akuzoi qeverinë se sot ky institucion funksionon pa bazë ligjore për ndërtim dhe pa transparencë.
“Sot ky institucion nuk ka leje ndërtimi nga Ministria e Transportit, nuk ka projekt të miratuar, nuk ka kontratë reale ndërtimi, afat kohor dhe as transparencë financiare”, theksoi ai.
Ai shtoi se janë përkeqësuar edhe kushtet e punës në universitet dhe se nuk ekziston asnjë perspektivë zhvillimi.
“Janë përkeqësuar kushtet e punës dhe nuk ka asnjë perspektivë zhvillimi për këtë universitet”, deklaroi Sulejmani.
Sipas BDI-së, qeveria po ushtron presion për mbylljen e programeve kryesore dhe po kërcënon me bashkimin e universitetit me institucione të tjera të arsimit të lartë në vend.
“Qeveria po kërkon mbylljen e programeve kryesore dhe po kërcënon me bashkimin e këtij universiteti me universitetet tjera në vend. Ky është rezultati i mashtrimeve të tyre”, përfundoi Sulejmani.TS
