Pas takimit të liderëve dhe deklaratave për një takim “kokë më kokë” me Mickoskin, filluan të qarkullojnë lajme të rreme në portalet dhe gazetat e afërta me ta: gjoja marrëveshje me VMRO-në për koalicion parazgjedhor, zgjedhje të parakohshme, skenarë të shumtë të mbushur me gënjeshtra e kalkulime politike. Qëllimi ishte i qartë – të mbahen votuesit me shpresë se “do bëhet më mirë për ta”. Një strategji e menduar, por me një fund të dhimbshëm.
Siç duket, takimi me Mickoskin do të zgjasë pak ose ndoshta as nuk do të realizohet. Një gjë është e sigurt: jo vetëm që VMRO-ja nuk e dëshiron BDI-në, por edhe faktori ndërkombëtar i ka lënë disi anash, jashtë proceseve politike dhe pjesëmarrjes në qeveri. Një strukturë kaq e kriminalizuar dhe e zhytur në korrupsion nuk mund të rikthehet në pushtet, për një periudhë kaq të shkurtër, duke mbajtur brenda po të njëjtët njerëz me të kaluar të errët korruptive e kriminale.
Kjo u vërtetua më së miri nga vetë ata. Pas takimit të liderëve, deklaratat për kërkesat e kryeministrit fillimisht ishin të qarta, dy ditë më pas u bënë “fleksibile”, ndërsa sot i dëgjojmë me vendim të prerë vetëm për njërën kërkesë: Safe City nuk kalon, nuk e votojmë, është antikushtetuese dhe antishqiptare. Për çudi, si është e mundur që brenda natës të ndryshohen qëndrimet – nga patriotë në “tradhtarë” e sërish në patriotë?
Si duket, edhe ata e kanë kuptuar se i pret një opozitë e gjatë dhe se kthimi në pushtet është i pamundur. Prandaj nuk dinë si të sillen, nuk dinë cilin rol ta luajnë. Janë aktorë të vjetër, por me skena komike dhe të pakuptimta.
Parti me pushtet kaq të madh dhe kaq jetëgjatësi si BDI-ja, e ngarkuar me krim dhe korrupsion që ngjan me sistemet e kaluara autoritare, kur bien nga froni ose copëtohen, ose zhduken nga skena politike. Sepse nuk kanë më çfarë t’i ofrojnë popullit. Mundësinë për përfaqësim të denjë dhe të drejtë e shfrytëzuan për interesa të ngushta personale dhe partiake.
Tani presim që në ditët në vijim të shtojnë dozën e patriotizmit dhe të dalin krah qytetarëve – qytetarëve që vetë BDI-ja i solli në këtë gjendje.
