-4 C
Tetovo
E enjte, 1 Janar, 2026
BallinaLajmeFaton Pollozhani-këshilltarë i AKI : U certifikua koalicioni i Mendi Qyrës me...

Faton Pollozhani-këshilltarë i AKI : U certifikua koalicioni i Mendi Qyrës me VMRO-VLEN-Merko-Levica

Zgjedhja e kryetarit të Këshillit të Komunës së Strugës nga radhët e VMRO-DPMNE, me votat e këshilltarëve të VMRO-së, VLEN-it, Listës Merko dhe Levica, ka nxjerrë në pah, sipas këshilltarit të Aleancës Kombëtare për Integrim, Faton Pollozhani, një marrëveshje të hapur politike dhe jo thjesht një procedurë institucionale.

Në reagimin e tij publik, Pollozhani thekson se për ditë me radhë është tentuar të ndërtohet një narrativë e rreme, sipas së cilës kinse Aleanca Kombëtare për Integrim bashkëpunon fshehurazi me Listën Merko.

“Sot e vërteta foli vetë – jo me deklarata, por me votë. Jo me akuza, por me duar të ngritura. Qytetarët panë qartë se me kë është realisht Lista Merko dhe se pazaret politike nuk bëhen në heshtje, por vulosen publikisht”, shkruan Pollozhani.

Sipas tij, votimi në Këshill tregoi edhe një rreshtim të pazakontë politik, ku Levica, e cilësuar si parti e majtë ekstreme, u bë pjesë e një koalicioni të çuditshëm interesash, ku ideologjitë bien dhe bashkohen vetëm interesat.

Pollozhani kritikon ashpër edhe buxhetin e Komunës së Strugës, duke theksuar se ai reflekton të njëjtin pazar politik.

“Rreth 600 mijë euro janë paraparë për punësime të reja dhe 100 mijë euro për punësime të përkohshme, pa asnjë strategji afatgjate, pa transparencë dhe pa lidhje me zhvillimin real ekonomik. Asnjë nga premtimet zgjedhore të kryetarit të komunës nuk është trajtuar si prioritet buxhetor”, vlerëson ai.

Sipas këshilltarit të AKI-së, bëhet fjalë për një buxhet populist dhe të status quo-së, pa vizion zhvillimor dhe pa investime strukturore që do ta nxirrnin Strugën nga rrethi vicioz i improvizimit. Ai e cilëson ironike faktin që kjo ndodh pasi kryetari i komunës ka deklaruar publikisht se “ka kaluar koha e patriotizmit dhe folklorizmit” dhe se “është koha e ekonomisë”.

“Po cila ekonomi? Ekonomia e pazareve? Ekonomia e punësimeve afatshkurtra për interesa politike?”, pyet Pollozhani, duke ngritur edhe dilema mbi presionet dhe kërcënimet publike ndaj ish-udhëheqjes së komunës me ‘dokumente’ dhe ‘lëndë’, të cilat, sipas tij, mund të jenë pjesë e të njëjtit pazar politik.

Në fund, Pollozhani i drejtohet drejtpërdrejt kryetarit të komunës, Mendi Qyra, duke rikujtuar deklaratat e tij se “nuk kishte as edhe një ‘M’ nga marrëveshja me VMRO-DPMNE-në”.

“Sot, para qytetarëve, doli jo vetëm një ‘M’, por një marrëveshje e tërë politike. U certifikua publikisht koalicioni Qyra-VMRO-VLEN-Merko-Levica”, thekson ai.

“Historia nuk i mban mend deklaratat, por veprimet. Kjo ditë do të mbahet mend si dita kur u shkel legjitimiteti i votës, u nëpërkëmb dinjiteti qytetar dhe u zëvendësua vizioni me pazar. Sepse në politikë nuk ka rëndësi vetëm kush fiton në votim, por kush humb besimin e qytetarëve”, përfundon Pollozhani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments