Dy javë pas debaklit në zgjedhjet lokale dhe dy javë pas publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian, BDI dhe Arbër Ademi u “zgjuan nga gjumi” për të treguar shqetësimin e tyre të improvizuar për rrugën evropiane. Ironia është e thellë, me gjysmën e kryesisë në listat e zeza për korrupsion të lartë, ata dalin e mbajnë konferenca për progresin evropian, progres që vetë e kanë bllokuar për shumë vite“, kështu reaguan sot nga koalicioni VLEN, pasi nga BDI akuzuan se qeveria aktuale ka bërë regres në rrugën drejt BE-së.
Nga VLEN thonë se BDI ndër vite ka vepruar anti-BE, ndaj pasojat e atyre veprimeve po i shohin qytetarët sot nëpër raportet e BE-së.
“Edhe më absurde është se në zgjedhjet lokale, BDI u bashkua hapur me partinë më anti-NATO dhe anti-BE në vend, me Levicën e Apasievit, në Gostivar, Tetovë dhe Strugë. Kur iu duhej pushteti, harruan Evropën. Sot, kur i humbën komunat dhe ndikimin, papritur u kujtuan për BE-në! E vërteta është se ata e shkelën rrugën evropiane kur ndryshuan Kodin penal kundër paralajmërimeve të miqve tanë strategjikë, duke hapur rrugën për kthimin e Nikolla Gruevskit dhe lirimin e Sasho Mijallkovit.
Të gjitha gjetjet në raport nuk kanë ndodhur në 12 muajt e fundit. Këto janë pasoja të akumuluara të keqqeverisjes shumëvjeçare, të cilat sot i shohim të shkruara bardhë e zi nga Komisioni Evropian. Koalicioni VLEN e mirëpret Raportin e Komisionit Evropian si një dokument realist, objektiv dhe të dobishëm për shtetin. Raporti paraqet qartë se disa procese janë lëvizur përpara. Për VLEN-in, rruga drejt Bashkimit Evropian është esenciale, qenësore dhe e panegociueshme”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
