7.6 C
Tetovo
E hënë, 13 Tetor, 2025
BallinaLajmeKORRIDORI 8 NDËRTOHET FUQISHËM: Nga Shkupi në Strugë për 1 orë e...

KORRIDORI 8 NDËRTOHET FUQISHËM: Nga Shkupi në Strugë për 1 orë e gjysmë

Rruga nga Shkupi në Ohër dhe Strugë pas përfundimit të punimeve deri në vitin 2029 do të zgjasë rreth një orë e gjysmë. Aktualisht ka një ritëm të madh të punimeve në pjesët e ndryshme të kësaj autostrade. Në fund të shtatorit nisi ndërtimi i autostradës Gostivar-Bukojçan-Kërçovë, rruga më e vështirë e Korridorit 8. Njëherësh, në fillim të muajit të ardhshëm, do të zgjidhet një kontraktor për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Bukojçan me vlerë afër 120 milionë euro ku, nëse kushtet e motit lejojnë, ndërtimi do të fillojë menjëherë, njoftojnë nga Ministria e Transportit. Ky aks duhet të përfundojë deri në vitin 2029.

Do të modernizohet edhe autostrada që përshkon Pollogun. Sipas paralajmërimeve, kjo pjesë autostrade prej 17.5 kilometrash do të kushtojë rreth 90 milionë euro dhe pritet të përfundojë për dy vjet e gjysmë. Projekti parashikon gjashtë korsi trafiku, nga tre në secilin drejtim, përkatësisht dy korsi për lëvizje dhe një për ndalim. Projekti i ndërtimit përfshin edhe nëntë mbikalime, nga të cilat – 8 mbikalime për lidhjen e rrugëve lokale, një mbikalim për kryqëzimin e ri në Komunën e Bogovinës dhe Komunën e Vrapçishtit dhe rindërtimin e kryqëzimit për dalje nga Tetova.

Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, ndërtimi filloi me shumë sfida, por sot Seksioni 1 Tetovë – Gostivar është në një fazë që premton ndërtim të shpejtë dhe me cilësi të lartë. “Pasi filluan aktivitetet e ndërtimit në terren, tashmë po shohim përparim të dukshëm dhe deri më tani: Gërmimet janë kryer në rreth 150.000 m3 dhe, janë instaluar 310.000 m3 material mbushës, janë prodhuar 2.500 m3 beton për të përfunduar punimet në seksionin e autostradës. Në seksionet 1 dhe 2, aktualisht punojnë rreth 1.200 njerëz dhe janë të përfshirë më shumë se 750 makina dhe mekanizime të ndryshme, dhe shifrat e mësipërme përfshijnë edhe nënkontraktorët. Aktualisht, 60 për qind e furnizuesve dhe 90 për qind e nënkontraktorëve janë kompani vendase. Deri më tani, puna e pandërprerë është mundësuar në një gjatësi prej rreth 9 km nga 17.5 km në seksionin Tetovë – Gostivar”, shton ai.

Nga ana tjetër vazhdojnë aktivitetet për vendosjen e shtyllave, themeleve, trarëve të urave, mbikalimeve dhe nënkalimeve për seksionet Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan dhe Prilep -Manastir. Punimet janë duke u zhvilluar në gjashtë ura, katër mbikalime dhe tre nënkalime.

Në gusht të këtij viti, nëpërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, shteti i pagoi 1.200.875.741 denarë (19.5 milionë euro) konsorciumit Bechtel dhe Enka, kontraktorit për pjesët e autostradave të korridoreve 8 dhe 10d (Tetovë – Gostivar, 18 kilometra), (Gostivar – Bukojçan, 30 kilometra) dhe (Prilep – Manastir, 40 kilometra).

Që nga fillimi i këtij viti, ka pasur dy pagesa ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” në prill, prej 599.794.350 denarë dhe 524.972.228 denarë, si dhe një në maj prej 681.026,665 denarë, në qershor prej 830.336,364 denarë dhe në korrik prej 1.022.217.192 denarë. Deri në fund të vitit të kaluar ishin paguar 261 milionë euro.

Sipas Raportit të Mbikëqyrjes së Progresit, në gusht të këtij viti kontraktori vazhdoi të kryente punime kryesisht për punimet e hetimit gjeoteknik, projektimin dhe specifikimet e autostradave, projektimin e shpronësimit, punimet e përkohshme të menaxhimit të trafikut, prishjen dhe heqjen e ndërtesave ekzistuese dhe elementëve të tjerë të rrugës dhe aktivitete ndërtimi kryesisht për punime dheu, kullim dhe struktura.

Gjatë rrjedhës së projektit, më shumë se 300 linja ekzistuese të shërbimeve do të zhvendosen ose mbrohen. Që nga gushti i vitit 2025, kontraktorë specialistë të emëruar nga punëdhënësi janë angazhuar në fazën e projektimit për të zhvendosur dhe mbrojtur shërbimet, duke përfshirë furnizimin me ujë, ujitjen, kanalizimet, telekomunikacionin dhe linjat e energjisë elektrike me tension të ulët deri në të mesëm. Procesi i tenderimit për projektimin dhe ndërtimin e punimeve që lidhen me linjat e energjisë elektrike me tension të lartë është ende në vazhdim, thuhet në Raport.

Aktivitetet në terren, në përputhje me kontratën me “Bechtel and Enka” filluan të zbatohen që nga 22 prilli 2023, mirëpo kishte ngecje si rrjedhojë e vonesës së shpronësimit të pronave nëpër të cilat do të kalojnë autostradat e Korridoreve 8 dhe 10d, të cilat po ndërtohen nga konsorciumi amerikano turk.

Gjithashtu ende nuk ka punime në seksionin e tretë Trebenishtë – Qafë Thanë (22 kilometra), ku duhet të rishikohet traseja për të ruajtur statusin e mbrojtur të Liqenit të Ohrit dhe rajonit. Gjithashtu vlera e autostradës Kërçovë – Ohër me gjatësi totale prej 57 kilometrash, të cilën po e ndërton kompania kineze “Sinohydro”, fillimisht ishte parashikuar në 374 milionë euro, ndërsa pas disa shtojcave të Marrëveshjes dhe zgjatjeve të afateve si rrjedhojë e problemeve të ndryshme teknike, projektimit jo të duhur, problemeve me shpronësimet… ai arriti në 598 milionë euro.

Konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka dhe shteti nënshkruan një marrëveshje në mars të vitit 2023 për ndërtimin e katër seksioneve të autostradës (Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë – Qafë dhe Prilep – Manastir). Për shkak të përvojës së hidhur me ndërtimin e autostradave të mëparshme, qeveria e atëhershme vendosi që rrugët e reja të ndërtoheshin në bazë të “çelës në dorë”. Domethënë, Bechtel dhe Enka do të përgatisnin një studim fizibiliteti, do ta projektonin dhe do ta zbatonin plotësisht projektin. Për këtë qëllim, u ndryshuan disa ligje, përfshirë atë për shpronësimin, kështu që procedura u përshpejtua. Bechtel dhe Enka nuk do të duhet të presin që vendimi i shpronësimit të bëhet i formës së prerë, por mund të disponojnë pronën sapo vendimi i shpronësimit të bëhet i formës së prerë. Shteti duhet të shpenzojë 300 milionë euro për të shpronësuar pronën private. Sipas njoftimeve të zyrtarëve një vit më parë, do të nevojiten edhe 1.3 miliardë euro shtesë për të ndërtuar 109 kilometrat e rrugës. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments