20.6 C
Tetovo
E premte, 5 Shtator, 2025
BallinaLajmeKodi Penal/Prof.Dr Jeton Shasivari: Kushtetuesja tregohet e kujdesshme

Kodi Penal/Prof.Dr Jeton Shasivari: Kushtetuesja tregohet e kujdesshme

Profesori i të drejtës kushtetuese Jeton Shasivari, sqaron për Alsat situatën e krijuar, pas skadimit të afatit gjashtëmujor për ndryshimet e Kodit Penal që i kërkon Gjykata Kushtetuese.

Sipas Shasivarit, Kushtetuesja po tregon kujdes për të mos i shfuqizuar nenet kontestuese të miratuara në vitin 2023, me të cilat u liruan nga përgjegjësia penale shumë funksionarë të dyshuar për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Nëse do të ndërmerrte një hap të tillë, Kushtetuesja do të shkaktonte dëm edhe më të madh se vetë ndryshimet që i miratoi shumica parlamentare LSDM-BDI.

“Me anulimin ose shfuqizimin eventual të këtyre dispozitave ligjore penale, me automatizëm nuk do të riktheheshin dispozitat e mëparshme ligjore, por do të kishim një situatë të ekzistimit të disa veprave penale pa sanksione penale në Kodin Penal. Që do të ishte një goditje shumë e rëndë për sundimin e së drejtës dhe një dëm shumë i madh shoqëror për drejtësinë penale. Madje edhe me pasoja ndërkombëtare, për shkak se do të kishte lëndë të reja të qytetarëve tanë para Gjykatës së Strasburgut me pretendimin e cenimit të sigurisë juridike që garantohet me Konventën Evropian për të Drejtat e Njeriut”, tha Jeton Shasivari, profesor i të drejtës kushtetuese.

Shasivari pret që pas zgjedhjeve, të harmonizohet Kodi i ri Penal ose të miratohet Kod tërësisht i ri, me çka do të tejkalohet problemi.

“Sigurisht se Parlamenti gjatë periudhës zgjedhore nuk do të merret me Kodin Penal. Por, realisht pritet që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale Qeveria si propozues i autorizuar të paraqesë ndryshim plotësime të reja të Kodit Penal ose madje edhe tekstin e Kodit të ri Penal, i cili është në përgatitje e sipër sipas standardeve evropiane. Dhe në atë procedurë penale kuptohet se Parlamenti do t’i ketë parasysh edhe pikëpamjet juridike të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje”, u shpreh Jeton Shasivari, profesor i të drejtës kushtetuese.

Nga Ministria e Drejtësisë dje sqaruan që ndryshimet e kërkuar të Kodit Penal kanë ngecur për shkak se kanë qenë të zënë me ndryshimet ligjore për sistemin “Safe City”.

Pritjet janë që menjëherë pas zgjedhjeve të hyjnë në procedurë qeveritare, ndërsa deri në fund të vitit të miratohen në Kuvend, megjithatë ende nuk dihet nëse do të plotësohet Kodi Penal, apo do të miratohet Kodi i ri.

Sipas Kushtetueses, ndryshimet e vitit 2023 ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërsa, nëse shtëpia legjislative nuk i ndryshon, Gjykata do t’i shfuqizojë ose anulojë./ Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments