26.6 C
Tetovo
E martë, 19 Gusht, 2025
BallinaLajmeProtestuesit në Serbi nuk i ndal kërcënimi i Vuçiqit

Protestuesit në Serbi nuk i ndal kërcënimi i Vuçiqit

Mijëra protestues antiqeveritarë kanë marshuar sërish të hënën në Serbi, përderisa forcat speciale të policisë, të pajisura me shkopinj gome, i ndoqën ata në qendër të Beogradit, duke e shtyrë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të përsëriste zotimin për goditje të madhe ndaj protestuesve.

Protestat në kryeqytetin serb filluan në mënyrë paqësore, porse u tensionuan kur një grup të rinjsh, të dyshuar si huliganë futbolli, u shkëputën nga turma dhe hodhën gurë në drejtim të zyrave të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke thyer dritaret e ndërtesës.

Autoritetet policore kanë ndërhyrë me automjete të blinduara për ta shpërndarë turmën, duke shkaktuar panik dhe ikje masive, ka shkruar AP.

Serbia është përfshirë nga protestat masive që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur si rezultat i shembjes së çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, mbetën të vdekur 16 persona.

Protestat e udhëhequra nga studentët ishin kryesisht paqësore për muaj me radhë, mirëpo u përshkallëzuan javën e kaluar.

Situata e krijuar e ka rritur presionin ndaj Vuçiqit, i cili i ka refuzuar kërkesat e protestuesve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Të dielën, presidenti serb pati njoftuar masa të ashpra karshi protestuesve pas disa ditësh trazirash në rrugët e qyteteve serbe. E gjatë së hënës, ai i ka përsëritur pretendimet se protestat shumëmujore janë të orkestruara nga Perëndimi dhe synojnë që ta shkatërrojnë Serbinë.

“Vendi ynë është në rrezik të madh; ata kanë vënë në rrezik të gjitha vlerat tona, jetën normale dhe çdo individ”, është shprehur Vuçiqi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments