27.8 C
Tetovo
E shtunë, 19 Korrik, 2025
BallinaLajmeRruga Tetovë-Prizren: Kosova ecën me eskavatorë, Maqedonia e humbur në tenderë

Rruga Tetovë-Prizren: Kosova ecën me eskavatorë, Maqedonia e humbur në tenderë

Nuk ka datë konkrete ende se kur do të fillojnë punimet në Maqedoninë e Veriut për rrugën Tetovë-Prizren, derisa nga ana e Kosovës vijojnë punimet.

Të pyetur për ecurinë e projektit, nga kabineti i zëvendës-ministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për Portalb.mk theksua se në kohë rekord është siguruar dhe përgatitur detyra projektuese nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dokument ky që përmban specifikimet dhe kërkesat bazë për projektimin e tunelit.

“Kjo detyrë projektuese tashmë i është dorëzuar palës kosovare për shqyrtim dhe harmonizim, për të siguruar dakordim të plotë para hapjes së procedurave të mëtejshme”, thanë nga kabineti i Kaltrina Zekolli Shaqirit.

Nga aty shtuan se pas përfundimit të kësaj faze dhe miratimit të përbashkët të detyrës projektuese, hapi i radhës do të jetë shpallja e tenderit për projektimin teknik të tunelit.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me palën kosovare dhe po bëjmë përpjekje që të mos ketë vonesa në asnjë moment të këtij procesi”, shtuan nga kabineti i zëvendësministres.

Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për këtë projekt.

Pas shumë zvarritjeve, në prill 2025 u formua grupi i përbashkët i punës midis RMV-së dhe Kosovës për këtë projekt, ndërsa takimi i parë u mbajt dy muaj më pas në qershor, ku u theksua përshpejtimi i procedurave burokratike. Paraprakisht, nga Ministria e Transportit të RMV-së kanë bërë të ditur se është ndarë buxheti për fazën e projektimit të tunelit.

Ndryshe nga RMV-ja, në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren-Tetovë.

Paraprakisht, me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë-Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë-Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra. Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani. (portalb.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments