Kryeministri Hristijan Mickoski i dha vetes meritat për mënyrën e zgjidhjes së problemit me shkollën e Nerovës në Komunën e Krushevës. Mickoski, në vija të holla qortoi edhe politikanët që rrihnin gjoksin dhe që tentonin të manipulonin prindërit dhe që në deklaratat e tyre i jepnin ngjyrim etnik. Do të shkoj vetë për t’ua uruar këtë zgjidhje, deklaroi Mickoski, i pyetur nga mediat lidhur me sagën disamujore të shkollës, 120 nxënës të së cilës u ngritën në protesta pak muaj më parë.“Qeveria pruri vendim dhe ne realizuam fjalën e dhënë. Ja kështu zgjidhen problemet, direkt. Qeveria pruri vendim dhe personalisht do të shkoj atje që t’ua uroj banorëve edhe qytetarëve… dhe ja si zgjidhen problemet e jo me porosi politike dhe keqpërdorim të ndjenjave të qytetarëve. Kështu zgjidhen punët. Merret vendim dhe gjendet zgjidhje, e jo si politikanë të caktuar të cilët i manipuluan ata. Pasi u mor vendimi dhe u zgjodh problemi, unë do të shkoj atje dhe do të mundohemi të bëjmë shkollë të mirë për nxënësit që do të arsimohen atje”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Vendimi i marrë nga qeveria, mundëson regjistrimin e pronës shtetërore dhe i hap mundësinë Komunës së Krushevës të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative edhe për legalizimin e mëtejshëm të objekteve shkollore. Procedura vijon në këtë mënyrë: si fillim parcela në të cilën ndodhen dy objektet shkollore futet në plan urbanistik. Më pas del në pronësi të Komunës së Krushevës. Pas kësaj bëhet legalizimi i dy objekteve që sipas vendimit të Qeverisë të siguruar nga Alsat rezulton me emrin “ndërtesa numër 4” me hapësira 332 metra katror, 13 metra katror, 344 metra katror dhe 13 metra katror. Pas mbarimit të procedurave për legalizim, Ministria e Arsimit, bashkërisht me prindërit dhe nxënësit do të shqyrton opsionin më të mirë se si të organizohet procesi edukativo arsimor.
“Nga shtatori nuk besoj se do fillojnë në objekt të ri, në shtatorë ne do të mund tu shtojmë dy klasa siç kërkonin në të kaluarën”, tha Vesna Janevska – Ministre e Arsimit.
Nisma për ndërtimin e objektit të ri shkollor në Nerovë ishte iniciativë e vetë banorëve të këtij fshati për shkak të kushteve jo të mira të objektit ku mësojnë mbi 120 nxënësit shqiptar të shkollës “Nikolla Karev”. Pasi banorëve iu ndalua vazhdimi i punimeve në objektin e ndërtuar me kontributin e tyre, ata dolën në protestë ndërsa fëmijët bojkotuan mësimin. /Alsat.mk